Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Artan Behrami, lidhur me debatin për gjetjen e trupave të personave të zhdukur dhe varrezave masive në veri të Kosovës.
Rrustemi ka pretenduar se zbulimi i varrezave masive në Zubin-Potok nuk do të ishte i mundur pa ndryshimin e situatës së sigurisë në veri dhe largimin e strukturave të Milan Radojçiqit.
“Deputeti i PDK-së Artan Behrami paska thënë se Policia e Kosovës zbuloi varrezat masive në Zubin Potok, por fshehë atë që nuk fshihet dot, se që të ndodhte kjo, fillimisht u dashtë me i largu strukturat e Radojçiqit nga veriu e me garantu prani të shtetit atje, të cilën e bëri të mundur Albin Kurti, pjesë të cilën ju e konsideronit dhuratë të Rankoviçit”, ka shkruar Rrustemi.
Ai ka vijuar me një skenar hipotetik se si, sipas tij, do të dukej veriu nëse nuk do të ishte Qeveria Kurti.
“Duhet ta marrim me mend se si do të ishte sot veriu po mos të ishte Qeveria Kurti”, ka shkruar ai.
Rrustemi pretendon se në një rast të tillë, në veri do të vazhdonin të funksiononin strukturat paralele të Serbisë, ndërsa ekzistenca e varrezave masive do të mbetej e panjohur.
“Veri me Radojçiqin zot shtëpie, e me dinar, banka, posta e komuna paralele të Serbisë, e me varreza masive në tokën tonë që nuk do t’i merrnim vesh asnjëherë”, ka shkruar deputeti i VV-së.
Reagimi i Rrustemit vjen pas deklaratave të Behramit, i cili e kishte akuzuar Vetëvendosjen për përvetësim politik të punës së institucioneve të Kosovës në procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur






