Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Policia e Kosovës të bëjë publike arsyet dhe bazën ligjore të ndërhyrjes që pengoi vendosjen e muralit të Nënë Terezës në kryeqytet.
Në një reagim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit, por që kjo është penguar sonte.
Ai ka thënë se, sipas Policisë, urdhri për ndalimin e vendosjes kishte ardhur “nga lart”, duke kërkuar që ky pretendim të sqarohet dhe të identifikohet personi që ka dhënë urdhrin.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar gjithashtu që Policia të publikojë vendimin mbi të cilin është bazuar ndërhyrja dhe të sqarojë se kush e ka kërkuar atë.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, janë pyetjet që Rama i ka drejtuar Policisë së Kosovës.
Ai ka ngritur edhe çështjen se kush ka autoritetin për të ndaluar një punë për të cilën Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje.






