PDK përmbyllë fushatën, Hamza: Të dielën dilni dhe votoni numrin 125 për t’i thënë STOP krizës

- Advertisement -

Kryetari dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, në një tubim madhështor në Prishtinë, ka thënë se do ta kthejë Kosovën nga kriza drejt zhvillimit, nga pasiguria drejt stabilitetit, nga dëshpërimi drejt shpresës.

Hamza u ka bërë thirrje qytetarëve që nesër të dalin masivisht dhe ta votojnë numrin 125, PDK-në per t’i thënë STOP krizës.

“Është koha për punë. Është koha për përgjegjësi. Është koha për ndryshim. Stop krizës. Ndrysho Kosovën. Të dielën, dilni dhe votoni. Dilni për familjen tuaj. Dilni për fëmijët tuaj. Dilni për prindërit tuaj. Dilni për të ardhmen tuaj. Dilni për Kosovën. Le ta mbushim kutinë e votimit me shpresë. Le ta hapim rrugën e ndryshimit. Le ta bëjmë Kosovën shtet që punon, shtet që zhvillohet, shtet që i shërben qytetarit. Me besim. Me guxim. Me përgjegjësi. Me dashuri për Kosovën. Bashkë do ta ndalim krizën. Bashkë do ta ndryshojmë Kosovën. Bashkë do ta bëjmë Kosovën më mirë”, ka thënë Hamza.

Hamza tha se kjo fushatë ka ofruar një zgjedhje të qartë mes dy rrugëve.

“Njëra rrugë është rruga e krizës, e përçarjes, e konfliktit, e izolimit dhe e arrogancës. Rruga tjetër është rruga e zhvillimit, e stabilitetit, e bashkëpunimit, e punës dhe e rezultateve. Ne jemi rruga e dytë. Rruga e qytetarëve. Rruga e Kosovës”, ka thënë ai.

Hamza u zotua për rritje pagash dhe pensionesh, reforma në drejtësi, shëndetësi dhe arsim.

“Kemi ardhur me program. Kemi ardhur me vendime konkrete. Kemi ardhur me zotime të qarta. Nga dita e parë e Qeverisë sonë, prioriteti ynë do të jetë qytetari”, shtoi ai.

Hamza ka përmendur edhe liderët e PDK-së dhe shokët e tyre që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

“Nuk i harrojmë themeluesit, luftëtarët, kontribuuesit dhe të gjithë ata që dhanë gjithçka që Kosova të jetë e lirë. Nuk i harrojmë as liderët tanë që sot nuk janë fizikisht mes nesh, por vendin e tyre në historinë e Kosovës nuk mund ta marrë asnjë padrejtësi. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha do të kthehen edhe më të fortë. I presim me padurim”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, njëherit kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili tha se me Bedri Hamzën kryeministër Kosova i kthehet stabilitetit.

“Me Bedri Hamzën kthehemi te shteti që nuk i përket një njeriu, por qytetarëve të tij”, shtoi ai.

Ismaili ftoi qytetarët për ta votuar PDK-në nesër, për t’i dhënë fund një politike që ka prodhuar krizë, përçarje dhe izolim.

“Unë ju ftoj të punojmë për Kosovën që gjithmonë e kemi imagjinuar: Kosovën e lirë, stabile dhe të zhvilluar; Kosovën krenare dhe të drejtë; Kosovën që nuk i nënshtrohet askujt. Nesër, më 7 qershor, thuajini stop krizës, ndryshojeni Kosovën me votë dhe votoni Partinë Demokratike të Kosovës – 125!”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit