Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se situata e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hyrë në një fazë që kërkon qartësi përfundimtare kushtetuese, pas shkeljes së afateve, bllokimit të përsëritur të procesit dhe vendosjes së kushteve të reja politike nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Scanner.
PDK rikujton se Kuvendi i Republikës së Kosovës është dashur të konstituohet brenda afatit 30-ditor, më së largu më 7 gusht, sipas Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.
PDK vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje e shkeli këtë afat, ndërsa më pas vendosi vetë një afat të ri, 6 shtatorin, të cilin gjithashtu nuk e respektoi.
Përkundër kësaj, Partia Demokratike e Kosovës, për hir të 16 shtatorit dhe vendimit të madh që pritet në Hagë, pranoi të marrë pjesë në seancat e Kuvendit edhe përtej këtyre afateve, me qëllimin e vetëm që procesi i konstituimit të përfundonte.
PDK mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me vullnet të plotë për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, në të dyja rastet, procesi u pengua nga Lëvizja Vetëvendosje përmes arsyetimeve të reja lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës e mbajti fjalën dhe votoi kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për nënkryetar të Kuvendit. Në anën tjetër, LVV e theu premtimin e dhënë publikisht dhe refuzoi ta votonte kandidaten e PDK-së për nënkryetare. Ky veprim dëshmoi edhe një herë se, për LVV-në, fjala e dhënë vlen vetëm deri në momentin kur u shërben interesave të saj politike.
PDK vlerëson se, pasi e ka bllokuar vetë procesin e konstituimit, Lëvizja Vetëvendosje tani deklaron se është e gatshme t’i votojë nënkryetarët, por duke e lidhur këtë me mënyrën e votimit për Presidentin e Republikës.
Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike.
Për këtë arsye, PDK nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja. Edhe pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk ofron asnjë garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të paraqiten kërkesa apo kushte të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese. Ekspertët e PDK-së janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi.
Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.






