Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar që të rishikohet dhe të ndryshohet Ligji i ri për Shtetësinë, për të cilin pretendojnë se mundëson marrjen e shtetësisë së Kosovës nga persona me prejardhje serbe që kanë jetuar në Kosovë deri në vitin 1998 dhe pasardhësit e tyre.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se shqetësimet e opozitës nuk qëndrojnë, duke argumentuar se dispozita për të cilën po bëhet fjalë ka qenë pjesë e ligjit të vjetër të miratuar nga vetë këto parti dhe këto dispozita, sipas tyre, tani më janë shndërruar në normë kushtetuese.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha për Ekonomia Online se neni 31 është i dëmshëm për Kosovën dhe se duhet urgjentisht të rishikohet ligji.
“E kam argumentuar arsyen pse po e kundërshtoj këtë ligj dhe pse ky ligj është i dëmshëm për Kosovën edhe para zyrtarëve të ministrisë, që fatkeqësisht nuk kam mundur të marr shpjegime dhe arsye të qëndrueshme pse ky ligj duhet të votohet. Jam përgjëruar, ju kam lutur Albulena Haxhiut që të jetë e kujdesshme kur ta nënshkruajë këtë ligj edhe si kryetare e Kuvendit, po ashtu edhe si ushtruese e detyrës se presidentes. Dhe fatkeqësisht nuk janë marrë parasysh vërejtjet tona. Ajo çka kemi mundur me bërë si opozitë në atë kohë është me votuar kundër këtij ligji dhe me sensibilizuar opinionin që ky ligj është i dëmshëm. Dhe unë vazhdoj prapë të them me të njëjtat argumente dhe të njëjtat arsye se neni 31 i këtij ligji është ligj i cili u mundëson marrjen e nënshtetësisë të gjithë serbëve të cilët kanë jetuar deri në vitin 1998 në Kosovë, por jo vetëm kaq, edhe të gjithë pasardhësve të tyre pavarësisht se ku kanë lindur edhe ku jetojnë ata. Është munduar nga qeveria, zyrtarë qeveritarë që të na argumentohet e të na arsyetohet se ky ligj po bëhet gjëja për të lehtësuar marrjen e shtetësisë nga mërgimtarët tanë, por ky argument nuk qëndron sepse mërgimtarët tanë s’kanë pasur asnjëherë vështirësi të theksuara në marrjen e shtetësisë. Ky ligj është bërë për t’i mundësuar pasardhësve të gjithë atyre serbëve të cilët kanë qenë deri në vitin 1998 në Kosovë, e që ne e dimë shumë mirë se cilët serbë dhe me çfarë qëllimesh kanë qenë ata serbë në Kosovë”, tha ajo.
Musliu tha se moskonstituimi i Kuvendit po pamundëson edhe rishikimin e këtij ligji, duke kërkuar që personat që kanë marrë shtetësinë që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri t’i nënshtrohen procedurave të reja në rast të ndryshimit të tij.
“Nëse vetëm një arsye duhet ta ketë Kuvendi i Republikës së Kosovës që të konstituohet sa më parë ose sa më shpejt, arsyeja kryesore duhet të jetë ky ligj. Prandaj çdo ditë e humbur në moskonstituimin e Kuvendit, çdo ditë shtohet dëmi edhe rreziku për Kosovën. Dëmi është shkaktuar tashmë, ne kemi informacione besoj që i keni marrë edhe ju nga të gjitha zyrat civile të cilët raportojnë çdo ditë që serbët shumë në numër të madh janë duke u pajisur me shtetësi të Kosovës. Por e thashë edhe një herë, nëse vetëm një arsye ekziston pse duhet urgjentisht të konstituohet Kuvendi, është ligji për shtetësinë e Kosovës pse ne duhet me urgjencë ta vendosim në rishqyrtim këtë ligj, ta ri-amendamentojmë e ta bëjmë një ligj të dinjitetshëm që garanton mbi të gjitha sigurinë në vendin tonë. Ky ligj e ka dëmtuar rëndë Kosovën, shtetësinë e Kosovës dhe e ka dëmtuar rëndë edhe sigurinë kombëtare”, tha ajo.
Ajo propozoi që shtetësitë e marra pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të rishqyrtohen në rast të ndryshimit të tij.
“E vetmja mundësi që me riparuar dëmin që është shkaktuar është që me ligj të rregullohet që të gjithë personat të cilët kanë marrë nënshtetësinë nga prilli i vitit 2026 e deri në ditën kur ri-amendamentohet ose hyn në fuqi ligji i ri me ndryshime të reja, duhet të shpallen të pavlefshme ose duhet të riprocedohen me ligjin e ri. Përndryshe nëse vazhdojnë që këta që kanë marrë shtetësinë të mbesin edhe më tutje, mendoj që dëmi është i paripagueshëm dhe do t’i kushtojë Kosovës në ditët e ardhshme”, tha ajo.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha për Ekonomia Online se ligji është miratuar në procedurë të përshpejtuar dhe kundërshtoi përmbajtjen e nenit 31.
“Këta kanë kontrabanduar këtë ligj në fakt. Në momentin që opozita nuk ka qenë në sallë e kanë kontrabanduar, sepse me procedura të përshpejtuara ju e dini që ju duhet dy të tretat e votave. Dhe pa qenë opozita në sallë ata e kanë kontrabanduar këtë nenin e famshëm me të cilin në fakt ja mundëson secilit qytetar serb që t’i vjen të regjistrohet edhe të bëhet qytetar i Kosovës. Ne po e kundërshtojmë këtë, po e kundërshtojmë me të madhe sepse po ju lejohet të gjithëve që të regjistrohen edhe ata që kanë kryer krime, edhe ata që kanë dënuar, edhe ata që kanë dhunuar gra e fëmijë, ata që kanë kryer masakra, edhe njerëzit që edhe para luftës kanë rënë, kanë burgosur, kanë masakruar popullin shqiptar. Domethënë kjo është kontestuese dhe kjo është një e keqe”, tha ajo.
Kadrijaj tha se kanë kërkuar të dinë nëse ndryshimi ka qenë kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë.
“Ajo çfarë ne kemi hulumtuar, në njëfarë forme kemi menduar mos ndoshta kjo është një kërkesë nga Evropa ose nga vendet e Quinti-t ose nga Amerika dhe kemi marrë përgjigje se s’ka qenë kërkesë e tyre që ky nen i famshëm të futet në këtë ligj në mënyrë që t’ia mundësojmë”, tha ajo.
Ajo kërkoi që ligji të ndryshohet pas konstituimit të Kuvendit.
“Ne po ashtu po kërkojmë që ky ligj të zhbëhet edhe të kthehet në normalitet sepse nuk është e drejtë kur sot po hapen ende varreza masive, ata kriminelë që ndoshta i kanë kryer ato krime sot bëhen qytetarë të Kosovës. Në momentin që të konstituohet Kuvendi, do të jetë një kërkesë e veçantë që të zhbëhet ky ligj edhe që Kosova t’i kthehet normalitetit. Nuk kanë të drejtë ata që kanë kryer krime, nuk kanë të drejtë ata që kanë dhunuar, kanë vrarë gra dhe fëmijë me qenë shtetas të Kosovës”, tha ajo.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Parë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, tha për Ekonomia Online se qëllimi i ligjit të ri është lehtësimi i procedurave për bashkatdhetarët që duan të rifitojnë shtetësinë.
“Qëllimi dhe ideja e ligjit të ri për shtetësinë është që t’u krijojmë mundësinë, lehtësitë ligjore bashkatdhetarëve tanë për të rifituar shtetësinë. Qëllimi kryesor ka qenë ky dhe mbetet ky. Pra, që t’u mundësohet bashkatdhetarëve tanë që me procedura të lehtësuara ta rifitojnë shtetësinë. Dhe i vetmi ndryshim pra që ka ndodhur në ligjin për shtetësinë është ky, dhe tjetri që u ka mundësuar edhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës që jetojnë me vite të tëra këtu në Kosovë dhe nuk e kanë pasur të mundur fitimin e shtetësisë”, tha ai.
Dugolli i cilësoi shqetësimet e opozitës si të pabazuara, duke argumentuar se dispozita e kundërshtuar ka qenë pjesë e legjislacionit të mëparshëm dhe, sipas tij, është shndërruar në normë kushtetuese.
“Ndërsa sa i takon temës për të cilën ju po flisni, po bëni pyetjen, pra shqetësimet e ngritura artificiale të opozitës nuk qëndrojnë për shkak se dispozita në të cilën ata po thirren është dispozitë që është në ligjin e vjetër të cilin ata e kanë miratuar, e fatkeqësisht ajo dispozitë ka kaluar edhe në dispozitat kalimtare dhe është shndërruar në normë juridike në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra ne nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën me ligj sepse ligji derivon nga Kushtetuta dhe dispozitat kushtetuese janë të pandryshueshme. Ne urojmë që ata të kenë vullnetin dhe ta bindin Listën Serbe që ta ndryshojnë Kushtetutën e ta heqin edhe atë nen për të cilin ata janë të shqetësuar e do të duhej të ishin të shqetësuar atëherë kur e kanë miratuar dhe kur nuk kanë intervenuar me kohë dhe ajo dispozitë kalimtare është shndërruar në dispozitë të përhershme në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ai tha se ndryshimi i kësaj dispozite do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës.
“Vetëm le ta bindin Listën Serbe që të marrë pjesë për ndryshime kushtetuese sepse tash kërkon pra, se kjo është shndërruar pra në normë, në klauzol, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila nuk ndryshohet pa amendamentim të nenit pra përkatës në Kushtetutë. Dhe ne jemi të gatshëm atëherë kur pra ata e konsiderojnë edhe e bindin Listën Serbe që të marrë pjesë në këtë proces, ne jemi shumë të gatshëm që të hiqet ajo dispozitë. Por si e tillë qëndron ashtu siç ka qëndruar në kohën kur ata e kanë miratuar ligjin për shtetësinë. Kjo është e vërteta”, tha ai.
Ligji i ri për Shtetësinë e Republikës së Kosovës është votuar në lexim të dytë në Kuvend më 23 prill 2026, me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ka hyrë në fuqi më 22 maj 2026.








