Tashmë janë bërë një vit nga zgjedhjet e zakonshme parlamentare, që u mbajtën me 9 shkurt të 2025. Megjithatë, ajo çfarë pasoi pas kësaj date ishte një krizë e thellë politike, e cila pamundësoi formimin e institucioneve të reja. Rrjedhimisht, si pasojë e kësaj bllokade, vendi sërish zhvilloi zgjedhje parlamentare, ato të 28 dhjetorit, të cilat ishin të jashtëzakonshme.
Ngërçet e vitit të kaluar ishin të ndryshme. Së pari, ngecja partive ndodhi me pozitën e kryetarit të kuvendit. Albulena Haxhiu pa vetën të nominohet me dhjetëra herë, por pa sukses.
Edhe figura të tjera të VV’së u nominuan për pozitën në fjalë, porse, as ato s’morën votën e shumicës. U deshtë që radha t’i vinte Dimal Bashës, në mënyrë që kuvendi të kishte kryetarin e ri.
Megjithatë, kjo s’ishte bllokada e vetme. Skena politike pa ngërç edhe në pozitën e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Kur i erdhi radha kësaj pozite, procesi u zhvillua ndaras, ndryshe nga praktikat e kaluara kur votohej në pako.
Propozimin e komuniteteve të tjera për votim ndaras për nënkryetarët e 4 dhe të 5, Vetëvendosje e përkrahu.
Procesi filloi të realizohej, Lista Srpska bëri nominimet e saj, por që, pa sukses. Gjë e cila, në konstatimin e Bashës, i hapi rrugë shortit. Pas disa votimesh, përmes shortit, nënkryetar i pestë u zgjodh Nenad Rasiq.
Këtë zgjedhje të Rasiqit, e vuri në pikëpyetje Lista Srpska, të cilët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit i dha të drejtë Srpskas, duke konstatuar se zgjedhja e Rashiqit, ishte jokushtetuese.
Sot, një vit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e pak më shumë se një muaj nga ato të 28 dhjetorit, LVV’ja ka ndryshuar qëndrim, lidhur me këtë pozitë.
Përderisa predikonin se asnjëherë s’do votonin për nënkryetar dikë nga Lista Srpska, sot ata kanë qëndrim ndryshe.
Kjo gjë u kuptua nga dy deklarime të bëra dje, prej anës së zyrtarëve të lartë të VV’së. I pari ishte numri dy i kësaj partie, Glauk Konjufca. Ky i fundit kur u pyet se a do të votohet nënkryetari nga radhët e Listës Srpska, tha se ata, pra VV’ja, ‘’kurrë s’i ka refuzu vendimet e Kushtetueses’’.
Zyrtari tjetër, ishte Basha. Pas takimit që pati dje me përfaqësues partiakë, Basha deklaroi se është arritur pajtimi që të pesë nënkryetarët të votohen në pako.






