Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se Vetëvendosje është jashtëzakonisht e interesuar të zgjidhet çështja e presidentit.
Ai ka thënë se si subjekt politik i kanë propozimet e tyre por se nëse gjendet një emër i pranueshëm mund t’a konsiderojnë dhe të mbyllet kjo temë.
“Lëvizja Vetëvendosje është jashtëzakonisht e interesuar që të zgjidhet çështja e presidentit për shkak se ne e kemi fitu shumicën, i kemi fitu 51.1% por nuk mjaftojnë për zgjedhjen e presidentit/es. Por mund të them se nuk është interesi jonë që të shkojmë sërish në zgjedhje. Tani për tani i kemi ato që i kemi propozu (emrat për president), ndonëse nuk e di ligjërisht si është por mbase edhe mund të rikonsiderohet nëse gjendet një zgjidhje, emër konsensuale edhe mund të tërhiqen, nuk e di në kuptimin kushtetues dhe ligjor s’i shkon. Unë mendoj që nëse gjendet një emër i pranueshëm atëherë mund ta konsiderojmë dhe kryejmë këtë temë”.
Dugolli ka thënë se vjen opozita me një propozim të përbashkët për postin e presidentit dhe sipas tij “le t’i sfidojnë” si Vetëvendosje. Por sipas Dugollit (opozita) s’po e bëjnë diçka të tillë sepse nuk e kanë me çështjen e Presidentit por me rezultatin e 28 dhjetorit.
“Natyrisht që ne e kemi prit opozitën me një propozim të përbashkët, e kemi kërkuar madje kemi insistuar që ta kenë të paktën një emër. Nëse nuk i kanë nëshkrimet edhe do t’ua plotësonim sepse nuk është interesi i Vetëvendosjes të shkohet në zgjedhje për çështjen e presidentit. Ne i sfidojmë, le të na e lenë pastaj fajin ne, të thonë ne e kemi propozuar këtë emër, kemi konsideruar që është emër konsensual, i pranueshëm dhe ka kredenciale të mjaftueshme për të qenë figurë edhe unifikuese edhe që e zotëron pozitën e Presidentit dhe le të na sfidojnë…por këtë s’po e bëjnë për shkak se kam një përshtypje se ata nuk e kanë me çështjen e Presidentit, këtë e kanë vetëm si shkas. Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk është duke iu pëlqyer, duhet ta thonë, jo të fshihen. Sepse për çështjen e zgjedhjes së presidentit ne futemi pastaj në një cikël që ‘nuk e ku na nxjerr’ për shkak se 80 vota mos të pretendon dikush që mund t’i merr i vetëm, nuk mund t’i merr. Kësaj radhe opozita e ka mundësinë ta zgjidh çështjen e Presidentit apo ta qon vendin në zgjedhje”, ka thënë i Dugolli në Blic Interview.






