Pas mungesës së kapelave, Policia anulon tenderin për karriget e ceremonisë së diplomimit të kadetëve

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për marrjen me qira të karrigeve statike, të cilat ishin paraparë të përdoreshin në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.

Sipas dokumentit, vendimi për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit është marrë më 4 nëntor 2026. Në tender kishin marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, shkruan IndeksOnline.

Si arsye për anulimin, Policia e Kosovës ka përzgjedhur dispozitën sipas së cilës një dispozitë e Ligjit për Prokurimin Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit. Megjithatë, në njoftim nuk jepen detaje shtesë për arsyet konkrete të këtij vendimi.

Ndërkohë, ceremonia e diplomimit të 412 kadetëve të gjeneratës së 63-të pritet të mbahet të premten, më 6 nëntor, në orën 16:30.

Kjo ceremoni fillimisht ishte paraparë të mbahej më 30 tetor, por ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme.

Po ashtu, gjatë kësaj jave për shkak të mungesës së kapelave, zyrtarëve policorë u ishte kërkuar që t’i huazonin ato për kadetët, në mënyrë që të përdoreshin gjatë ceremonisë.

Anulimi i tenderit për karriget vjen vetëm një ditë para ceremonisë së paralajmëruar të diplomimit.

Të ngjashme

Të fundit