Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen zyrtare të DOKU.TECH, ngjarje e cila për vite ka sjellë në Kosovë ide, përvoja dhe perspektiva të reja për teknologjinë dhe inovacionin.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se tema e sivjetme “E ardhmja thërret”, është pikërisht ftesa për të vepruar sot.
“Fakti që themi se e ardhmja thërret, do të thotë që në njëfarë mënyre ajo tashmë ka ardhur, se kur dikush të thërret, mund të mos e shohësh, por teksa ia dëgjon zërin, është shumë afër dhe do ta shohësh së shpejti. Pra, e ardhmja po nis sot, me vendimet që marrim, me dijen që zhvillojmë dhe me mundësitë e reja, të cilat i krijojmë’’, tha ai.
Me më shumë se 2,500 kompani, shumica dërrmuese e të cilave ofrojnë shërbime për tregjet ndërkombëtare, dhe që tashmë kanë reputacion të dëshmuar e qëndrueshmëri, kryeministri Kurti tha se sektori i TIK-ut është më dinamikët në ekonominë e Kosovës.
“Eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit për katër vjet janë rritur më shumë se pesë fish dhe në kuadër të bruto produktit vendor të shtetit tonë, TIK-u, tek sektori, bën pjesë plot 6 për qind. Për dallim e për krahasim, bujqësia është 7 për qind, ndërkaq TIK-u është 6 për qind të bruto produktit vendor. Pas këtyre shifrave, natyrisht që qëndrojnë mijëra profesionistë dhe ndërmarrës që me dijen, kreativitetin dhe punën e tyre po e zhvillojnë sektorin teknologjik të Kosovës”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Kurti tha se ardhmja e Kosovës do të ndërtohet edhe nga idetë, guximi dhe nga puna e njerëzve, duke shtuar se Kosova ka dëshmuar që ka talent, kreativitet dhe potencial të madh në teknologji.






