Real Madridi duket se nuk di për këndellje. Skuadra madrilene pësoi humbje tjetër në shtëpi, këtë herë nga AC Milani.
“Rossonerët” regjistruan një fitore bindëse ndaj Realit duke triumfuar me rezultat 1:3, pas një paraqitje të shkëlqyeshme.
Malick Thiaë shënoi me kokë pas një harkimi të Pulisic për ta kaluar Milanin në epërsi (12’).
Real Madridi pastaj u këndell përmes Vinicius Junior, i cili realizoi nga pika e bardhë, penallti të cilën e kishte fituar vetë (23’).
Sidoqoftë, Milani vazhdoi të dominojë. Ishte Alvaro Morata që e riktheu epërsinë e mysafirëve pas një topi të kthyer nga goditja e Leaos (39’).
Madrilenët kishin disa mundësi përmes Kylian Mbappe, megjithatë francezi assesi s’ia doli ta tund rrjetën duke humbur disa raste përballë Maignan.
Kur të gjithë prisnin që Reali ta përmbysë epërsinë, Leao asistoi për Tijjani Reijnders, i cili konfirmoi krizën e madrilenëve dhe e vulosi fitoren (73’).
Reali në fakt shënoi edhe një herë përmes Antonio Rudiger, mirëpo pas disa minutave rishikim doli që ishte pozitë jashtë loje.
Milani tani mbledhë gjashtë pikë, aq sa ka Real Madridi në këtë fazë të ligës.