Para verdiktit në Hagë, Nura: E pres me ankth, por besoj se ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm

- Advertisement -

Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh proces gjyqësor, Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të japin verdiktin për katër nga figurat më të njohura të luftës së Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka thënë se vendimin e pret me ankth, por është shprehur i bindur se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm.

“Të them të drejtën, unë si deputet, si njeri e si bashkëluftëtar i tyre, e pres bukur me ankth këtë vendim, edhe pse unë edhe më parë jam prononcuar dhe kam thënë që nuk pres dënim të tyre, duke e ditur që ata janë njerëz të pafajshëm dhe një luftë të cilën e kanë bërë ata dhe populli i Kosovës e kanë pasur përkrah aleancën më të madhe në botë, NATO-n”, ka deklaruar Nura.

Nura ka thënë se Kosova nuk duhet të qëndrojë duarkryq, duke kërkuar që të adresohet edhe roli i UNMIK-ut në periudhën pas përfundimit të luftës.

“Unë mendoj që ne duhet ta akuzojmë edhe UNMIK-un, pasi që akuza e përfshin edhe një periudhë të UNMIK-ut në Kosovë. Ne nuk duhet të rrimë duarkryq dhe duhet ta akuzojmë atë, pasi që ata e kanë pasur detyrën për sigurinë dhe për çdo gjë që ka qenë menjëherë pas luftës”, është shprehur ai.

Sipas Nurës, pas përfundimit të luftës, pjesëtarët e UÇK-së u çarmatosën dhe nuk kishin më kompetenca për çështjet e sigurisë.

“Ne si ushtarë të UÇK-së jemi çarmatosur sapo ka përfunduar lufta dhe nuk kemi pasur asnjë kompetencë që të merremi me sigurinë apo me diçka tjetër në lidhje me këtë. Kompetencat i ka pasur bashkësia ndërkombëtare me UNMIK-un si përfaqësues i tyre në Kosovë”, ka thënë Nura.

Ai ka përsëritur bindjen se verdikti ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë lirues.

Duke komentuar thirrjet e disa ambasadave perëndimore në Kosovë që shtetasit e tyre të tregojnë vigjilencë gjatë së mërkurës, ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi, Nura ka thënë se nuk pret rrezik nga qytetarët.

“Unë mendoj që edhe nga gëzimi njerëzit mund të shkelin ndonjë rregull të lëvizjes ose diçka, por nuk e shoh absolutisht një rrezik nga qytetarët e Kosovës për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Nura ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë kaluar sfida të ndryshme dhe se, sipas tij, Gjykata nuk ka bazë për t’i dënuar ish-krerët e UÇK-së.

I pyetur për praninë e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në Hagë për ta përcjellë seancën, përfshirë ministrin e Jashtëm Glauk Konjufca dhe ministrin për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, Nura e ka mirëpritur këtë hap.

Megjithatë, ai ka thënë se një mbështetje e tillë institucionale është dashur të ofrohej që nga fillimi i procesit.

“Më erdhi mirë që ata kanë shfaqur dëshirë të jenë pjesë në gjykatë, por mendoj që këto hapa që i marrin tash është dashur të jenë që nga fillimi i shkuarjes së tyre në Hagë. Pra, mendoj që është dashur që institucionet e Kosovës t’i përkrahin ata njerëz shumë më herët, por fundja, më mirë vonë se kurrë”, ka deklaruar Nura.

Të ngjashme

Të fundit