Dardan Krasniqi, anëtar i Kryesisë së Aleancës, ka folur për situatën e fundit politike në vend, në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Krasniqi ka komentuar formimin e Qeverisë së re, me Albin Kurtin që është zgjedhur për herë të katërt kryeministër i Kosovës, ndërsa vendi vazhdon të jetë në pritje të përmbylljes së procesit institucional për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka deklaruar se, sipas qëndrimit të Aleancës, qeveria e formuar është antikushtetuese dhe se këtë, sipas tij, pritet ta dëshmojë Gjykata Kushtetuese.
Krasniqi ka folur edhe për mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, duke thënë se AAK-ja është e gatshme për një proces të tillë.
“Ne jemi të gatshëm. Sa do ky kryeministër të shkojë në zgjedhje, ne jemi të gatshëm dhe nuk ka rëndësi zgjedhja. Unë do të isha shumë krenar që të kisha një qeveri të suksesshme dhe të dinjitetshme, që na rregullon infrastrukturën dhe të na e kthejë jetën tonë, të mos merremi me politikë. Për këtë kemi nevojë. Unë uroj që kjo qeveri të ecë dhe të punojë, por kjo qeveri është antikushtetuese. Këtë ka për ta dëshmuar Gjykata Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe nuk ka rëndësi fati i Aleancës; ka rëndësi fati i Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se Aleanca, pavarësisht zhvillimeve politike, është e gatshme për çdo skenar të mundshëm, përfshirë edhe zgjedhjet e reja.






