OVL-UÇK i ka reaguar komisioneres Marta Kos, e cila ka dalë kundër ligj-ndryshimit për Gjykatën Speciale.
Në reagim thuhet se Marta Kos duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë, jo për vendimet e Kuvendit të Kosovës.
Tutje, thuhet se Marta Kos që t’i trajtojë shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces.
Komunikata e plotë:
Komisionerja Marta Kos duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë, jo për vendimet e Kuvendit të Kosovës
OVL UÇK vlerëson se Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në procesin gjyqësor kundër ish udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe jo për nismat ligjore të deputetëve të zgjedhur nga populli i Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i kërkon komisioneres Marta Kos që t’i trajtojë shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces, të cilat janë evidentuar edhe nga The Bar Human Rights Committee of England and Ëales (BHRC) dhe të mos injorohen ato nga institucionet evropiane.
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në vendimin KSC-CC-2022, paragrafi 83, ka konstatuar vetë të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit dhe Kuvendi i Kosovës tashmë e ka bërë këtë.
Ky ligj duhet të zbatohet në plotni dhe nëse nuk fillon zbatimi i tij pas hyrjes në fuqi, veteranët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i rifillojnë protestat masive para institucioneve të BE-së në Kosovë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thekson se Kuvendi i Kosovës është institucion sovran dhe përfaqësues i vullnetit të qytetarëve, prandaj ndërhyrjet dhe presioni ndaj ushtrimit të mandatit të tij janë të papranueshme.
Komisionerja Marta Kos duhet të kërkojë drejtësi të paanshme dhe respektim të të drejtave të njeriut, e jo t’u tregojë deputetëve të Kosovës se si duhet ta ushtrojnë mandatin e tyre.






