Deputetë të PDK-së dhe Aleancës, së bashku me përfaqësues lokalë, kanë protestuar edhe këtë mëngjes para ndërtesës së Qeverisë.
Ata kanë kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
Protesta po vijon edhe pas më shumë se 20 ditësh jashtë afatit kushtetues për themelimin e Kuvendit.
Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se protesta synon mbështetjen e deputetëve që, sipas tij, po mbrojnë rendin kushtetues.
“Që të solidarizohem dhe mbështesim deputetët që janë në mbrojtje të rendit kushtetues dhe demokracisë që po cenohet”, tha Nura.
Ai i bëri thirrje mazhorancës që t’i themelojë institucionet, duke theksuar se Skenderaj do të qëndrojë në krah të deputetëve.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se kjo çështje tashmë ka tejkaluar kufijtë e një beteje partiake.
“Kjo kauzë nuk është më veç e deputetëve, por e gjithë qytetarëve”, deklaroi Lushtaku.
Sipas tij, cenimi i Kushtetutës dhe shtetit prek drejtpërdrejt interesat e qytetarëve të Kosovës.
Lushtaku theksoi se PDK-ja, si parti shtetformuese, e konsideron mbrojtjen e rendit kushtetues përgjegjësi të saj.






