Noti i Kosovës mbyll garat në Taranto 2026

- Advertisement -

Ekipi kosovar i notit ka përmbyllur garimin në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, me katër notarë që garuan në ditën e fundit të konkurrimit.

Në garat e sotme morën pjesë Hana Bejiqi, Riga Shala, Erina Idrizaj dhe Dior Krasniqi.

Në disiplinën 50 metra stil i lirë, Hana Bejiqi u rendit e 13-ta nga 22 garuese, me kohë 26.72 sekonda. Asaj i munguan vetëm 83 të qindtat e sekondës për të siguruar kualifikimin në finale.
Në të njëjtën disiplinë, Riga Shala e përfundoi garën në vendin e 22-të, me kohë 28.11 sekonda.

Te meshkujt, Dior Krasniqi garoi po ashtu në 50 metra stil i lirë dhe u rendit i 19-ti, duke e përshkuar distancën për 24.97 sekonda.

Ndërkohë, Erina Idrizaj garoi në disiplinën 100 metra shpinë, me kohë 1:08.56, rezultat që nuk ishte i mjaftueshëm për kualifikimin në finale.

Me përfundimin e këtyre garave, ekipi i Kosovës e ka mbyllur pjesëmarrjen në not në Taranto 2026.

Duke marrë parasysh kushtet dhe mundësitë që ofron aktualisht infrastruktura e notit në Kosovë, paraqitja e notarëve kosovarë në këto Lojëra mund të vlerësohet si relativisht e mirë, ndërsa përvoja e fituar në një ngjarje të nivelit mesdhetar mbetet e rëndësishme për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

Të ngjashme

Të fundit