Edhe një pjesëtarit të UÇK-së, të martën iu shqiptua dënimi. Pjetër Shala, u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Shala u gjet fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme.
E njohësit e drejtësisë në vend, thonë se Gjykata Speciale, përdori politikë të ashpër ndëshkimore.
“Edhe në rastin ndaj zotërit Mustafa por edhe tani ndaj Pjetër Shalës, politika ndëshkimore është relativisht e ashpër, për faktin se pavarësisht dispozitave të ligjit për Dhomat e Specializuara, në kohën kur pretendohet se janë kryer këto veprime, ka qenë në fuqi një legjislacion tjetër dhe me rregulloren e UNMIK-ut që janë ndryshuar edhe lartësia maksimale e dënimit, ka qenë 20 vite, prandaj një lartësi e tillë e dënimit që është aplikuar në të dyja rastet, në bindjen time është shkallë jashtëzakonisht e lartë e dënimit”, shprehet avokati, Ardian Bajraktari.
Se gjykata speciale aplikoi dënime të ashpra në rastin e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, e thonë edhe monitoruesit e këtyre seancave.
Amër Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tregon se çka i dalloi këto dy procese nga të tjerat.
“Këto dy procese për dallim prej proceseve të tjera për krimet e luftës që janë zhvilluar qoftë pranë gjykatave të Kosovës apo Tribunalit të Hagës mund të themi se kanë qenë më të mbyllura për publikun, sigurisht për arsye që me propozimin e prokurorit dhe disa dëshmitarëve seancat janë redaktuar për publikun dhe monitorimi i këtyre proceseve ka qenë më sfidues për monitoruesit apo mediat ose edhe qytetarët që kanë dashur t’i përcjellin”, thotë Alija.
Më herët nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, e që më pas janë liruar me kusht. /Tëvë1/