13.7 C
New York
Tuesday, April 30, 2024

Buy now

Njëzetepesë vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Ferid E Curri

- Advertisement -

Shkruan: Adnan Sogojeva

Feridi, po, Feridi kishte marrë rrugën e atyre, rrugën e të zgjedhurve…!

Lufta jonë nuk ka qenë aksident historik
Historia e kombit tonë është histori e popujve që kanë vuajtur gjatë dhe me sakrifica kanë arritur lirinë. Ne e dimë të kaluarën tonë. Nuk e harrojmë atë.

Ne, që sot jemi këtu, përfaqësojmë brezin më fatlum të historisë sonë mbi 100 vjeçare. Ne njohëm e përjetuam dhimbjet e vuajtjet e paraardhëseve tanë. Por, për dallim nga ta, ne ia dolëm ta bëjmë realitet ëndrrën e tyre më të madhe: lirinë e Kosovës.

Secili prej nesh, kush më shumë e kush më pak, kemi pasur fëmijëri të vështirë, duke ballafaquar ëndrrat për të ardhmen me traumat e robërisë në të cilën u rritëm.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri historinë, ktheu dinjitetin përmes shembullit të mosnënshtrimit dhe hapi udhë të rëndësishme për ta gjetur krenarinë̈ shoqëria jonë.

Ushtria Çlirimtare Kosovës ishte prijëse e luftës së popullit të Kosovës për Liri. Nga një organizatë të cilën e themeluan një grusht njerëzish u shndërrua në mekanizmin kryesor rreth së cilës u bashkuan mijëra burra e gra, të cilët pa u trembur luftuan për lirinë e atdheut.

Në pikëpamje historike, ushtarake, politike dhe diplomatike, UÇK-ja ishte projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK, me luftën e drejtë dhe të domosdoshme kundrejt forcave pushtuese, së bashku me faktorin relevant ndërkombëtar, i dha fund gjenocidit mbi popullin shqiptar në Kosovë. Prandaj, UÇK-ja përfaqëson një epokë të rëndësishme historike për popullin shqiptar në Kosovë.

Nevojitet vetëdije e lartë njerëzore dhe kombëtare të luftosh për lirinë e vendit tënd, nevojitet vetëmohim e sakrificë deri në flijim që të arrish objektivin për çfarë edhe kishte nisur luftën UÇK-ja.
Këtë vetëdije të lartë njerëzore dhe kombëtare e kishte edhe familja e Bacës Esat, e cili UÇK-së i dha tre djem, Ferdin dhe Petritin në Zonën Operative të Drenicës, Brigada 114 “Fehmi Lladrovci” dhe Mexhidin në Zonën Operative të Llapit. Por, sot është Feridi ai i cili është kryefjala e kësaj Akademie.
(Në këtë akademi shoh edhe shumë të rinj e të reja, që në moshën çfarë ata kanë sot, ne në moshën e tyre ishim pjesë e UÇK-së, rinia jonë ishte krejtësisht ndryshe nga sot që kanë këta të rinj, jeta jonë ishte e gjitha mbijetesë).

Feridi ishte djalë me karakter të fortë dhe temperament. Jeta e tij si nxënës dhe si student e kishte kalitur për betejat e ardhshme të cilat e prisnin vendin tonë. Ai mori pjesë në gjithë protestat e demonstratat e kohës, përfshirë edhe protestën studentore të 1 Tetorit 1997.

28 Nëntori i vitit 1997 ndryshoj plotësisht trajektoren e ngjarjeve në Kosovë. Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci dalin për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.
Kësaj dalje publike i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.

Më 28 shkurt 1998 në Qirez dhe Likoshan u zhvillua beteja në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Të vrarë mbetën disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat serbe rrethuan të dy fshatrat ku edhe i ekzekutuan 24 civilë.

Epopeja e UÇK-së me 5, 6 dhe 7 mars në Prekaz, konkretisht sulmi mbi familjen e Komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, fillon një etapë të re që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve, që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve dhe që frymëzoi çdo atdhetar.
Pas rënies së Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, UÇK-ja u rrit me shpejtësi dhe u shtri menjëherë në të gjitha viset dhe anët e Kosovës.

Në këtë aspekt organizativ nuk mbeti indiferent as Grabovci, ku në qershor të 1998 e themelon njësitin e UÇK-së dhe komandant i saj emërohet Abedin Sogojeva-Komandant DINI, i cili kishte pasur një përvojë ushtarake nga frontet në Drenicë dhe pas një kohe kthehet në Grabovc dhe merr përgjegjësinë e organizimit të UÇK-së edhe në këto anë.
Në këtë njësit ushtarak që kryesisht vepronte në afërsi të Mihjes së Qymyrit në Bardh, numëronte mbi 50 ushtarë që vinin nga Grabovci dhe fshatrat përreth, po ashtu kishte ushtar edhe nga Preshevë e Bujanovci, këtij njësiti iu bashkohen edhe Feridi e Petriti. Gjithashtu ne Grabovc ishte i pozicionuar edhe njësiti i Bardhit me dhjetëra ushtarë.

Pozita gjeostrategjike e këtyre dy njësiteve, afër Mihjes së Qymyrit të Bardhit bënte që luftimet të ishin të ditë për ditshme, nuk kishte ditë që nuk kishte gjuajtje të ndërsjella, ngase edhe për forcat serbe ishte shumë me rëndësi mbarëvajtja e punëve në Mihje.

Feridi prej kyçjes së tij në UÇK bëhet krahu i djathtë i Komandant Dinit, ata pothuajse ishin të pa ndarë, në çdo betejë, në çdo rrugëtim ata e bënin së bashku. Feridi ishte përplot elan, përgatitja e tij fizike dhe psikike e bënin atë të suksesshëm në çdo detyrë që i ngarkohej.

Me 3 nëntor 1998 nga Shtabi i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” organizohet shkuarja për armatim në Shqipëri dhe nga Togu i Grabovcit caktohen luftëtarët Ferid Curri dhe Shaban Berisha për këtë rrugëtim. Ky rrugëtim për ata që e kanë përshkuar ishte mjaft i rëndë dhe me rreziqe të mëdha, duhej ecje për orë të tëra, dhe kjo nganjëherë më bënë te mendoj që sakrifica e djemve dha vajzave të UÇK-së ishte mbinjerëzore dhe e jashtëzakonshme, ku dihet mirëfilli se ajo rrugë ka marrë shumë jetëra të ushtarëve të UÇK-së, shumë djem e vajza kanë rënë në pritë nëpër ato male dhe sot janë dëshmor, por kjo ishte mënyra sesi furnizohej me armë e municione UÇK-ja, ushtarët ngarkoheshin me nga 50 kg, me qëllimin e vetëm që të sigurohej mbarëvajtja e luftës deri në çlirimin definitiv të Kosovës.
Këtyre shtigjeve kanë kaluar mijëra djem e vajza të UÇK-së, herë pas here edhe me fatalitet për pjesëtarët e UÇK-së. Këtë rrugë kanë përshkuar edhe shumë komandant e luftëtar e që sot janë dëshmor, në këtë rast do përmendja Mujën dhe Beqen të cilët me një numër të madh ushtarësh bien në pritë të organizuar nga ushtria serbe dhe bien heroikisht me rreth 40 luftëtar, dhe kur e mendon Mujen e Beqen që tërë jetën e tyre i kënduan lirisë, i kënduan Kosovës, do të sjell sot në mendjen tuaj pjesë nga kënga legjendare “Kreshtat e Kosovës”, tekst ky i shkruar nga Rexhep Selimi, ku ndër tjera thuhet …tokë e jonë e djegur po lahet me gjak, ty ta falim jetën po na u duket pak…! dhe vërtet ata i dhanë jetën Kosovës që ne të jetojmë të lirë dhe në shtetin tonë.
Bashkëluftëtari Shaban Berisha (tashmë i ndjerë) e përshkruante këtë rrugë me emocion, ishte një rrugëtim i mundimshëm, kohë e ftohët, brezi kufitar i minuar dhe i ruajtur rreptë nga ushtria serbe, por grupi me gjithë rrezikun e madh kishin arritur që të hynin në Shqipëri. Pas disa ditë ushtrime ushtarake grupi behën gati të kthehen për Kosovë. Shabani rrëfente se moti ishte shumë i ftohët, ngarkesa rreth 50kg, ishte dimër i egër, se rrobat ju ishin ngrirë nga i ftohti i madh, dhe pas ca ditë rrugëtim Feridi dhe Shabani kthehen në Grabovc dhe bashkohen me luftëtarët tjerë.

Luftimet ishin të një pas njëshme, të përditshme dhe Komandant Dinin e bashkëluftëtar tjerë i gjeje edhe në beteja si në Gllanasellë, Gradicë e ku do ku kishte nevojë në territoret që kontrolloheshin nga Brigada 114, por, një do e veçoja, betejën e 14 Prillit 1999, betejën e Grabovcit.

E mërkura e 14 prillit filloi më ndryshe, forcat serbe ishin përforcuar si kurrë më parë, ishin shenjat e një beteje të përgjakshme, jo sikur sulmet e ditëpërditshme të forcave serbe drejt pozicioneve tona. Ora po kalonte 07:15 minuta, kur forcat serbo – sllave filluan granatimet me minahedhës, topa pa dridhje, topa kundër ajror, e armë tjera të kalibrave të ndryshëm, për nga intensiteti i gjuajtjeve të krijonin përshtypjen se ishin rafalë automatiku. Ndarja e detyrave nga komandanti Abedin Sogojeva – DINI, rezultoi me sukses, pasi qe rezistenca ishte në gjitha anët. Granatimet nuk ndalonin, tentativat për futje me këmbësori nuk rreshtin nga gjitha anët sa që nuk mbeti asnjë pëllëmbë toke pa u granatuar. Pas disa orë luftimesh filluam të kuptojmë edhe për pasojat nder ne, në lagjen e Rranolleve ku ishin pozicionuar një pjesë e togut të Grabovcit dhe të Bardhit, nga predhat e rëna kuptuam se ishin plagosur luftëtarë nga të dyja togjet si: Gani Pecani, Fatmir Kodra dhe Cimi Terrnava i njohur si Mici, gjithashtu kishte të plagosur edhe civil.
Ne pozicionin ku ishim ne, plagoset rëndë Petriti, në një pozicion tjetër gjithashtu plagoset Fidaim Berisha, por njëri nga ne kishte marrë plagë shumë të rënda, jo një plagë por me shumë se 40 plagë, nuk kishte mbetur vend ku nuk kishte plagë, predha i kishte amputuar edhe gishtin tregues, e ai ishte Feridi.

Secili nga ne kemi rrëfimin tonë për këtë ngjarje, por, sot do ndajë me ju rrëfimin e njërit nga ne e që ishte njeriu i duhur në kohën e duhur.

Dr. Ridvan Krasniqi bashkëluftëtar jonë do përshkruante kështu situatën e krijuar: ç’ishte kjo pyeta vetveten? Vetëm sa kisha mjekuar Petritin, e tash para vetes kam plagët e vëllait të tij Feridit! Vija e frontit shtrihej gjithandej, vallë sa do të jetë bilanci i ditës së sotme? Feridi kishte shumë plagë në trup, thuajse në çdo pjesë të trupit, deri të amputimi i gishtërinjve të dorës së djathtë. Kurrë në jetën time, nuk kam hasur ne një njeri të tillë, me aq karakter të fortë, qëndrim stoik ndaj plagëve. Kishte gjithë ato plagë në trup, përmbahej me fuqi te jashtëzakonshme, nuk rënkonte, përkundrazi u thoshte shokëve se ai do bënte më mirë dhe do kthehej në vijën e frontit. Një ndjenjë e përzier më kishte mbërthyer në kohën sa qëndroja pranë Feridit. Isha edhe mjek pranë pacientit, por edhe shoku pranë shokut. Madhështia konsistonte në faktin se si profesionist u gjeta aty ku duhej dhe në mesin e gjithë atyre njerëzve të mrekullueshëm ..!(Përfundon citati).

Pas dite, diku rreth orës 13:30, bie intensiteti i granatimeve dhe tentativave të disa herë për të na shpartalluar, edhe pse, edhe nga ne me pasoja të mëdha në njerëz. Pas orës 15:00, forcat serbe filluan të tërhiqen, ne mbanim pozicionet tona, duke vëzhguar çdo lëvizje të armikut deri në mbrëmje. Epilogu i krijuar gjatë gjithë ditës së luftimeve të ashpra kishte krijuar një situatë të veçantë, njërën anë civil te plagosur, anën tjetër ushtarë të plagosur, Feridi, Feridi shumë rëndë.

Nata ishte e gjatë, ishte natë tjetër nga netët tjera, na kishte kapluar qetësia, ishim të nemitur, ishim pa gojë…!

Feridi në trupin e tij pati më shumë se 40 copë të hekurit qe i kishin mbetur në trup nga shpërthimi i granatës e cila shpërtheu gjysme metër larg vendndodhjes së tij në istikam… Pas plagosjes kishte një problem më të madh se dhimbjet e mëdha që ia kishte shkaktuar granata. Problemi ishte se një copë e granatës ia kishte bërë të paaftë për funksionim shuplaken e dorës së djathtë dhe Feridi brengosej se nuk do të mund të luftonte më. Ajo ishte dhimbja më e madhe për të se gjithë ai hekur që i kishte depërtuar në trup.

Dita e 15 prillit filloi me një vigjilencë të shtuar, u bë evakuimi i pak familjeve – civilëve që ishin aty, ushtarët morën detyrat dhe gjithçka ishte në gatishmëri. Në anën tjetër Dr. Ridvani vazhdonte betejën për shërimin e plagëve të Feridit, ishte një betejë e vështirë, rrethana të jashtëzakonshme, kishin bërë natën në pyll, ishte një natë e gjatë …!

Diku rreth orës 10:00 të 15 prillit, Feridi bie ne agoni, gjendje nga e cila nuk do të kthehet më në mesin tonë, ai po merrte rrugën e të zgjedhurve. Për 24 orë rresht kishte bërë luftë në dy fronte, me dhimbjet nga plagët dhe me gjendjen e luftimeve në front.

Kujtoj atë kohë ishim në Gospojë me Komandantin erdhi Vullneti, një bashkëluftëtar jonë, ishte mbushur frymë, qante, lotët i shkonin faqeve, mbajë mend fjalën, mos u mërzitni, Feridi na la…! Na kaploi heshtja, edhe ndjenjat na tradhtuan, lotët ishte e vështirë t’i ndalnim, ngushëlluam njeri tjetrin dhe ashtu të thyer dhe më lot në sy nisemi për tek vendi ku ishte Feridi. Askush nuk mund të nxirrte asnjë fjalë, ishte gjendje vështirë e përshkrueshme…! Arritëm tek vendi ku ishte Feridi, aty takuam Dr. Ridvanin të heshtur e të thyer, Aliun po ashtu, Fitorja që kishte qëndruar afër Feridit qante, këdo që takuam ishte në vaj, mundoheshim të ngushëllonim njëri tjetrin, ishte shumë vështirë, si duket Petriti që edhe ai ishte i plagosur rëndë nuk ishte në dijeni për vdekjen e Feridit dhe kjo e rëndonte edhe më shumë situatën. Aliu, mori përgjegjësinë për t’i kumtuar lajmin e kobshëm dhe shumë të rëndë Petritit.
Feridi, po, Feridi kishte marrë rrugën e atyre, rrugën e të zgjedhurve…!

Në rrethana lufte, në kushte shumë të vështira, në një atmosferë shumë të rëndë emocionale, në orët e mbrëmjes i japim lamtumirën e fundit shokut tonë, Ferid Curri.
Feridi mori rrugën e të zgjedhurve, ne shokëve, familjes, të afërmeve, na la krenarinë, njëherësh dhimbjen e madhe në shpirt…!

Në anën tjetër, baca Esat me një pjesë të familjes ishte depërtuar dhunshëm për në Shqipëri dhe ishin vendosur ne qytetin bujar të Burrelit. Lajmi se i janë vrarë dy djemtë arrin tek Baca Esat, e i cili sipas zakonit hapë te pame për ngushëllime për të dy djemtë. Njerëzit vërshuan për ti shprehur ngushëllime dhe për të ju dhënë forcën për humbjen e dy djemve. Familja qëndroi fort dhe ndjenin krenari për djemtë e tyre, kishin qëndrim të jashtëzakonshëm si nëna ashtu edhe babai, dhe kjo shihet edhe në kronikën e përgatitur nga TV MAT, televizion ly lokal që kishte përcjellë krejt ato ditë familjen Curri.
Me të përfunduar lufta, familja Curri kthehen për në Kosovë dhe kur arrijnë tek shtëpia e tyre në Mazgit, shohin se njëri nga djemtë ishte gjallë, edhe pse i plagosur rëndë ai ju kishte mbijetuar plagëve, pra, Petriti ishte gjallë.

Pas luftës, trupi e Feridit është zhvarrosur nga Grabovci dhe është rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, dhe varri i tij në Grabovc ishte mbetur ashtu i hapur, dhe për të pasqyruar lidhjen e fortë që kishte me Komandant Dinin, Komandanti njëherësh baba im, para se të vdiste na e la amanet që kur të vdiste të varrosim në varrin e Feridit, në varrin e bashkëluftëtarit të tij, në varrin e ushtarit të tij që kishte rënë në fushën e nderit, ishte kjo lidhje mes bashkëluftëtarëve, ishte kjo madhështia e të qenit luftëtar i UÇK-së, dhe që nga viti 2007, trupi i Komandantit pushon në varrin e ushtarit të tij dëshmor.

Deri tani në nderim të dëshmorit Ferid Curri dhe luftëtarëve nga togu i Grabovcit, nga Institucionet e Kosovës janë ndarë dekorata, e çmime të ndryshme, janë diku 10 rrugë në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq që janë emëruar me heroizmin e këtij togu, por një e konsideroj si te veçantë e ajo është, diploma e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Teknik për dëshmorin Ferid Curri.

Lavdi dëshmorit Ferid Curri!
Lavdi gjithë dëshmorëve të Kombit!

Adnan A Sogojeva

https://www.facebook.com/share/2AXViZFjs6d9ZPMo/?mibextid=oFDknk

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit