28.7 C
New York
Saturday, July 27, 2024

Buy now

Një thirrje: Të mos preket emri në ballë të Universitetit, por eshtrat e Hasan Prishtinës të rivarrosen në Prishtinë

- Advertisement -

Shkruan: Ragip Gjoshi

HASAN PRISHTINA-ATDHETARI QË SHKRIU MENDJËN,PASURINË DHE JETËN PËR LIRI E ÇLIRIM-IDEOLOGU I VEÇANTË DHE TRURI I LUFTËS PËR ÇLIRIM DHE MVETËSI TË SHQIPËRISË ETNIKE

Rikujtimin për atdhetarin e përmasave të veçanta kombëtare, Hasan Prishtina po e sjellim para jush sot,në 89 vjetorin e vrasjës…Po sjellim para jush një jetëshkrim të shkurtër të këtij atdhetari të veçantë…Po e sjellim edhe me motivin që ” të mbyllën” gojët e atyre që kërkojnë heqjen e emrit të tij nga Universiteti i Prishtinës! Ky ideolog kombëtar kishte lindur në vitin 1873, në Vushtrri. Hasani është me origjinë nga treva e Drenicës (Polaci) dhe rrjedh prej një familjeje të pasur. Të parët e tij kanë pasë mbiemrin Berisha, por me largimin e gjyshit të tij nga Polaci familja mori mbiemrin e fshatit të origjinës (Polaci). Ndërkaq,kur Hasani u zgjodh deputet në Kuvendin turk (vitet 1908-1912) ai ndryshoi mbiemrin dhe u quajt Hasan bej Prishtina. Këtë mbiemër e mori mbasi ishte i zgjedhur nga kjo trevë dhe ishte prishtinasi (shqiptari) më i pasur në të gjithë kohërat, duke pasur pasuri në Selanik, Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Drenicë, etj. Truri i lëvixjës kombëtsre shkriu këyë paduri për çëdhtje të atdheut,por edhe la shumë ptona pa trashëgimtar…Ai ka qenë njohës i mirë i gjuhës gjermane, frënge, turke e sllave.

PAK JETËSHKRIM PËR TRIBUNIN…

Hasan Prishtina kishte kryer studimet e larta për shkencat politiko-juridike në Selanik dhe në Stamboll, në gjuhën frënge. U martua me Igballen, me të cilën nuk pati fëmijë dhe mbeti pa trashëgimtar.Për aktivitetin e tij të shquar politik është cilësuar ideolog i luftës kundër pushtuesëve…

H.Prishtina ka qenë i zgjedhur deputet në Parlamentin turk, për tre herë me radhë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare. Realisht, Hasan Prishtina, shenjat e para të mospajtimit me xhonturqit i shfaqi pas kongresit të alfabetit të shqipes në Manastir, i cili mori një vendim të rëndësishëm,por jo të plotë për të ardhmen e kombit shqiptar, ndaj sapo filloi kryengritja e vitit 1910 në Kosovë, lëshoi thirrjen e Kongresit të dytë të Manastirit, i cili, realisht, u drejtua nga personalitetet ndjekës besnikë të Hasan Prishtinës. Ky Kongres e vendosi fatin e alfabetit të kombit tonë.

Është dokumentuar se Hasani, për mëvetësinë e Shqipërisë Etnike, ishte i lidhur me qarqet ushtarake vjeneze që nga viti 1904, dhe një javë para se ta shpallte kushtrimin për “Revolucionin Shqiptar Çlirimtar”, në Parlamentin Turk, kërkoi përkrahjen diplomatike të Vjenës e më vonë edhe të Anglisë e të fuqive të tjera evropiane për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

Në Hasan Prishtinën kemi trinomin e “luftëtarit”, “të dijetarit” dhe “të pasurit” në shërbim të mbrojtjes së tërësisë e të lirisë së atdheut Shqipëri.

Ai,më 11 janar 1912, duke folur në Parlamentin osman, ai bëri një diskutim të ashpër në favor të çështjes shqiptare dhe për aprovimin e programit të kryengritjes, ku shtroi edhe problemin e kufijve të Shqipërisë, krijimin e administratës shqiptare, përforimin e Flamurit Kombëtar, ligjërimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, krijimin e qeverisë me shqiptarë, etj. Deputeti i Kosovës Hasan Prishtina,shpalosi kërkesat kombëtare të shqiptarëve, dënoi ashpër mohimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe foli për terrorin e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë shqiptare në trevat shqiptare si dhe kërcënoi qeverinë turke me një kryengritje të re, nëse nuk plotësoheshin kërkesat kombëtare të shqiptarëve.

KUVENDI I TAKSIMIT DHE BETIMI PËR ORGANIZIMIN E KRYENGRITJËS…

Kishin bashkëbiseduar e ushin dakorduar ndërmjet vete Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, qe më 12 janar 1912, të mbahej një takim i një grupi personalitetesh të jetës politike shqiptare, i njohur si “Kuvendi i Taksimit”, ku u dha betimi për organizimin e Kryengritjes gjithëshqiptare për autonominë e gjithë Shqipërisë. Në muajin janar të vitit 1912, Hasan Prishtina u përpoq të bindte Asim beun, ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se ishte në interesin e shtetit osman që qeveria të deklaronte zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë.
Tribuni popullor iu drejtua së pari konsullit britanik në Shkup, duke i deklaruar se shqiptarët kishin vendosur “me ba nji lëvizje t’armatosun kundra sundimit turk”. Konsulli i njoftoi Hasan Prishtinës se vendi i tij nuk kishte interesa në Ballkan, prandaj as nuk do ta kundërshtonte dhe as nuk do ta përkrahte kryengritjen e shqiptarëve.

Atdhetari H. Prishtina hyri në lidhje edhe me kryekonsullin austro-hungarez në Selanik. Vjena nuk premtoi ta ndihmonte kryengritjen shqiptare, por kërkoi që lëvizja kombëtare shqiptare të mbetej në kuadër të një lëvizjeje paqësore e kufizuar me kërkesa kulturore, arsimore dhe ekonomike.

Në kohën,kur patriotët Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, etj, nisën rrugën e vështirë e të lavdishme të shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, ai mori përsipër organizimin e kryengritjes në krahinën e Kosovës, së bashku me Bajram Currin dhe Isa Boletinin. Hasan Prishtina pa vonuar do të kthehet në kryeselinë historike të Kosovës, në Shkup, vuri kontakte me përfaqësuesit e VMRO-së bullgare për luftën çlirimtare të përbashkët, kurse nga Anglia kërkoi ta përkrahte kauzën kombëtare shqiptare të lirisë.

Hasani mësyu trojet e të parëve më 5 maj 1912 doli në Kështjellën e trimërisë së Shqipërisë, në Drenicë dhe e lëshoi kushtrimin e Kryengritjes së Përgjithshme. Ky kushtrimi bëri jehonë në mbarë Vilajetin e Kosovës. Në Drenicë, në Prekaz, e në disa fshatra yë tjerë Hasani mblodhi parinë e këtyre vendeve (krahinave) për të lidhur besë në luftën për interesat kombëtare. Nga vashkëkohanikët flitet se kur erdhi në këto anë, më 12 maj 1912, ai ngriti për herë të parë flamurin e pavarësisë në fshatin Vesekov të Shalës së Bajgores.
Ndërkaq,më 21-25 maj 1912, me nismën e Hasan Prishtinës, në Junik, Gjakovë, është mbledhur një Kuvend i posaçëm, ku u lidh besa për rifillimin e kryengritjes përgjithshme për autonominë e Shqipërisë, gjë e cila ndikoi që më 17 korrik 1912 qeveria xhonturke të japë dorëheqjen.

14 PIKAT E HASAN PRISHTINËS

Ideologu H.Prishtina, më 21-22 korrik 1912, së bashku me Bajram Currin, shkuan në Prishtinë, ku prezantuan Programin e tij politik prej 14 pikash, i njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”, në thelbin e të cilit ishte autonomia e Shqipërisë dhe bashkimi i Shqipërisë Etnike. Në programin prej 14 pikash, të Hasan Prishtinës, kërkohej t’i njiheshin Shqipërisë të drejta të gjera kombëtare siç ishin: emërimi në Shqipëri i nëpunësve të aftë që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri e në Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës; zbatimi i ligjit të maleve për krahina të caktuara; armatosja e shqiptarëve me armë moderne; hapja e shkollave reale e bujqësore, në programet e të cilave do të përfshihej edhe mësimi i gjuhës së vendit; lejimi për hapjen e shkollave private në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne në përputhje me nevojat e vendit; mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore, qytetëse dhe në gjimnazet; zhvillimi i tregtisë, i bujqësisë, i punëve botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi i organizimit të krahinave, ruajtja e zakoneve dhe e traditave të vendit; shpallja e faljes së përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes kundërqeveritare; zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara; nxjerrja në gjyq e pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said pashës. Më 24 korrik 1912 Këshilli i ministrave i Turqisë formoi komisionin për të biseduar për të ardhmen e Shqipërisë në kornizat perandorake osmane. Bisedimet vazhduan deri më 9 gusht 1912. Kërkesat kryesore që i mbrojti Hasan Prishtina mund të sublimohen në këto pika:

“Të njifen zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë; autoritet civile e ushtarake të kenë kombësi shqiptare; ushtria shqiptare te shërbejë në Shqipëri e të jetë komanda prej oficerëve shqiptarë; veprimet zyrtare në Shqipëri të bëhen në gjuhën shqipe”.

Ky Program ,prej 14 pikash iu dorëzua Komisionit qeveritar, më 9 gusht, duke i deklaruar atij që, në rast se brenda dy ditëve ky program nuk do të pranohej, atëherë forcat kryengritëse do të marshonin drejt qendrës së vilajetit, Shkupit. Hasan Prishtina, që ishte ithtar i programit radikal të lëvizjes, shpresonte se pikat e përfshira në marrëveshjen e arritur me qeverinë osmane më 18 gusht do të shënonin “hape të mëdha kah independenca e jonë”.

Hasan Prishtina,më 9 gusht 1912 ka shkuar në Ferizaj, ku ishte efhe Mehmet pashë Tetova (Dërralla), për të gjallëruar më tej luftën për çështjen kombëtare. Atje,më 17 gusht 1912, informoi “Shtabin Kryesor të Kryengritjes” dhe opinionin botëror se: “kërkesat e pranuara nga qeveria janë ato të propozuara nga e gjithë Shqipëria”, e më 18 gusht urdhëroi të shpërndaheshin kryengritësit.

PËR AKTIVITETIN ATDHETAR BURGOSET NË KALIMEGDAN …

Në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Hasan Prishtina foli në seancën e Parlamentit Osman, në Stamboll, dhe kërkoi nga kabineti qeveritar veprime ushtarake të shpejta për ta shpëtuar Shqipërinë nga okupimi dhe masakrat gjenocidiale të ushtrive të “Aleancës Ballkanike”, të përkrahura nga pesë fuqitë e mëdha,: Rusia, Anglia, Franca, Italia dhe Austro-Hungaria.
Gjatë rrugës së kthimit nga Stambolli në atdhe, Hasan Prishtina, do të kapet nga ushtria serbe dhe do të dërgohet në burgun e “Kalemegdanit”, ku ishin sjellë edhe disa krerë të kapur në Shkup e gjetkë në Kosovë… Hasani u mbajt i burgosur deri në muajin prill 1913, së bashku me Idriz Seferin, Sahit Hoxhën, Nexhip Dragën etj. Hasan Prishtina, pas lirimit nga internimi në pranverë të vitit 1913, përmes Vjenës e Triestes arriti në Vlorë për të dhënë kontributin e nevojshëm në ngritjen e shtetit Shqipëri.

Në kabinetin qeveritar të Ismail Qemalit, Prishtina idhte caktuar fillimisht ministër i Bujqësisë, pas Pandeli Cales që ishte ministri i kabinetit të parë qeveritar .Më vonë Hasan Prishtina jep dorëheqjen nga qeveria e Vlorës… Ai është larguar nga ky post dhe është emëruar ministër i Brendshëm në vend të Esad Toptanit, më 5 shtator 1913, detyrë të cilën e kreu deri në 20 nëntor 1913. Në historinë e Shqipërisë nuk është anashkaluar fakti që Hasan Prishtina ka bashkëpunuar me patriotët e tjerë nga Veriu i Shqipërisë për të organizuar masat popullore për çlirimin e trojeve shqiptare nga zaptuesit e huaj. “Ndërsa Hasan Prishtina caktohej në shtator ministër i qeverisë së Vlorës, Bajram Curri, Isa Buletini, Elez Isufi, etj. u ngarkuan me organizimin e kryengritjes në vend (në vitin 1913.)”.

Në rrëmujën e mjegullën e kohës,pak ditë pas krijimit të qeverisë nga Esad Toptani, çuditërisht Hasan Prishtina besoi te fuqia e tij dhe nga qeveria e Ismail Qemalit, duke u bashkuar me Esadin. Në këtë kohë,Hasani,më 21 shkurt 1914, ishte në përbërje të delegacionit shqiptar (19 vetëshj, të kryesuar nga Esad Toptani) që shkoi në Gjermani për t’i dorëzuar kurorën mbretërore Vilhem von Vied-it. Hasan Prishtina u caktua ministër i Postë-Telegrafëve në kabinetin e formuar nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit. Shkarkimi Esad Toptanit nga detyra solli ndryshime në kabinetin qeveritar, sikurse qe lirimi Hasan Prishtinës, më 28 maj 1914, zëvendësuar në detyrë nga Mit’hat Frashëri, ndërsa Esadi u zëvendësua nga Aqif pasha.

Ishin këto mote të rënda për shqiptarët,sepse serbo-malazezët dhe grekët vazhdonin masakrat ndaj popullsisë në rajonet kufitare e deri në brendësi të vendit. Grekët,rrethanst dhe gjendjen e Shqipërisë e dinin më mirë se vetë kryeministri Turhan Pasha, sepse Shqipëria kishte 400 priftërinj ortodoksë, të cilët vullnetarisht ishin agjentët lajmërues të mitropolitit Jakovi, dhe, me anën e këtij, dhe të ministrit të Greqisë, Baratasit.

Hasan Prishtina, i mbështetur nga Bajram Curri e Isa Buletini nuk ka qenë në një mendje me Mehmet pashë Dërallën e disa kosovarë të tjerë për të bërë ujdisje me kryengritësit e revoltuar kundër Wied-it.
Në shumë dokumente të ndryshme të asaj periudhe rezulton se Prishtina ka qenë i një mendje me grupin e parisë kosovare, Bajram Curri, Qerim Begolli, Xhemal Prishtina dhe rininë intelektuale kosovare si Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Beqir Vokshi, kapiten Hadush Kastrati, etj., se: “duke iu mbështetur politikës italiane do të fitohej Kosova e robëruar nga Jugosllavia”. Kjo shpresë duket se i bashkoi ata me italofilët dhe në atë kohë jashtëzakonisht të vështirë, i shtuan radhët e kundërshtarëve për brenda Krahut Kombëtar.

Hasani,në korrik 1914, mblodhi parinë e Dibrës, ku kërkoi të përgatitet kryengritja kundër Serbisë dhe pastaj nga Dibra kaloi në Lurë për të vazhduar misionin e tij. Në fillim të viti 1915 mori pjesë në kuvendet në Bicaj dhe në Kullë. Më 13 shkurt 1915 organizoi prerjen e linjave telegrafike e telefonike në malet e Korintikut dhe mori përsipër organizimin e drejtimin e luftës së lumjanëve kundër serbëve në kufi e mbas kësaj drejt Prizrenit. Në periudhën në vijim ka kaluar në Has dhe më vonë në Shkodër, gjithnjë duke u përpjekur për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Në bashkëpunim me Bajram Currin, Hoxhë Kadriun (Kadri Prishtina) e shumë atdhetarë të tjerë kanë kontribuar për të krijuar komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në Shqipëri. Në vitin 1919 ky komitet e caktoi Prishtinën kryetar të delegacionit në Konferencën e paqes në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

AI ORGANIZOI KONGRESIN E LUSHNJËS

H.Prishtina ka qenë pjesëtar i grupi organizator të kongresit të Lushnjës, në vitin 1920, dhe pjesëmarrës në këtë kongres. Në korrik të vitit 1920, ka tentuar të siguronte nga Italia fqinjë (D’Annuzio) një vapor me armë, por Zogu ndërhyri te kryeministri Sulejman Delvina dhe nëpërmjet Sejfi Vllamasit e Xhemal Naipit, të mbështetur nga forcat ushtarake në vend, nuk lejuan shkarkimin e vaporit në Shëngjin, duke lënë kështu popullsinë kosovare pa armë.

Ai në vitin 1921, është zgjedhur deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar. Më 16 tetor 1921, kur dha dorëheqjen qeveria e Iliaz Vrionit ka qenë në Vjenë së bashku me Mehdi Frashërin (në atë kohë ky ishte ministër i Punëve Botore) dhe ka shprehur habinë kur ka dëgjuar se ky kabinet po zëvendësohej nga kabineti qeveritar i Pandeli Evangjelit, mbasi aty ai është shprehur se priste që kabineti të bëhej me Gurakuqin dhe Merlikën (Mustafa Krujën). Të pranishmit e kanë kuptuar se ai kishte dijeni të plotë për zhvillimet politike që po ndodhnin në Shqipëri.

HASANI DREJTOI QEVERINË 1921

Kur H.Prishtina mori dëtyrën e krijimit të Kabinetit qeveritar (më 7 dhjetor 1921)në përbërje kishte caktuar: Hoxhë Kadrinë në postin e ministrit të Drejtësisë, Fan Noli-ministër i Jashtëm, Luigj Gurakuqi-ministër i Brendshëm, Ahmet Dakli-ministër i Financave, Haki Tefiku-ministër i Punëve Botore, Kristo Dako-ministër i Arsimit dhe Zija Dibra-ministër i Luftës. Krijimi i kësaj qeverie solli reaksion të madh në vend. Komentet janë të ndryshme e kontradiktore, por një gjë është fakt se ish-ministrat, deputetët, funksionarë të qeverisë dhe patriotë të krahut opozitarë, të shoqëruar nga kapiten Osman Gazepi, në krye të një kompanie xhandarmërie, janë nisur për në Elbasan, pa dijeninë e qeverisë së Hasan Prishtinës. Ndërkohë Bahri Omari dhe Sali Vuçitërna i dërguan njoftim A. Zogut në Mirditë. Kjo lëvizje alarmoi qeverinë, e cila urdhëroi marrjen urgjente të masave për të kapur këtë grup gjallë ose vdekur. Në krye të grupit për marrjen dhe zbatimin e masave është vënë Hoxhë Kadriu, i cili krahas detyrës së ministrit të Drejtësisë kryente edhe detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme. Ministri i Brendshëm i kabinetit qeveritar, Luigj Gurakuqi, ishte jashtë vendit. Në mbështetje të qeverisë ishin gjithashtu edhe forcat e Murat Kaloshit nga Dibra dhe ato të Sali Ohrit (nipi Aqif Elbasanit) të cilët rrethuan deputetët e qeveritarët në të përpjetën e Kërrabës së Vogël. Falë ndërhyrjes së major Banush Hamdiut dhe guximit të Riza Cerovës, i cili u dha ultimatum forcave të Demir Alisë të hapnin rrugën, u zgjidh paqësisht konflikti ndërmjet vetë shqiptarëve.

ATDHETAR ,ARSIMDASHËS DHE REFORMATOR

Kabineti qeveritar i kryesuar nga Hasan Prishtina ndërmori një reformë në Ministrinë e Brendshme, por kjo u prit me protesta e demonstrata nga populli i Tiranës, gjatë së cilës u hodhën parulla “poshtë agjentët e Italisë”. Ndërkohë protesta shpërthyen në shumë zona të vendit dhe Hasan Prishtina nuk vonoi të jepte dorëheqje më 12 dhjetor 1921, pra pas një jave qeverisje. Ndër veprimet e para të qeverisë së Prishtinës ishte shkarkimi A. Zogut nga detyra e komandantit të operacionit në Mirditë, por ai nuk iu bind vendimit të qeverisë. Gjatë kësaj kohe një grup deputetësh, përfshirë Shefqet Vërlacin, Sejfi Vllamasin, Bajram Fevziun, etj. morën vendim dhe caktuan më 10 dhjetor Banush Hamdiun komandant të Përgjithshëm të Fuqive Kombëtare, për t’iu kundërvënë qeverisë së Hasan Prishtinës. Vendin e qeverisë së Hasan Prishtinës e zuri kabineti qeveritar i drejtuar nga kryeministri Idhomene Kosturi, duke pasur në kabinet këshilltarët e ministrave (ministra asnjanës), i cili pati për mision mbajtjen e qetësisë për të dy palët deri në vendosjen e legalitetit. Kuptohet se edhe në këtë rast dora e Zogut shtrihej që larg. Një javë pas formimit të qeverisë së Kosturit, A. Zogu u kthye në Tiranë në krye të ushtrisë së rregullt dhe bllokoi të gjithë rrugëdaljet e kryeqytetit, duke kërcënuar me forca ushtarake. Në këtë rast Zogu përfitoi nga rasti të rimerrte pushtetin dhe deklaroi: “Qeveria e Idhomene Kosturit e kreu misionin e vet për sa i përket mbajtjes së qetësisë, dhe, për sa i takon guximtarëve të grushtit të shtetit, gjykimi i tyre i takon Parlamentit”. Më 16 dhjetor 1921 ish-ministrat dhe deputetët u rikthyen në Tiranë dhe më 22 dhjetor u hap parlamenti. Në këtë mbledhje Prishtina është shprehur se “shqiptarit nuk mund t’i mbyllet goja as nga dyfeku dhe as nga topi”. Pas kësaj deklarate Hasan Prishtina dhe deputetë të tjerë të Drinit (Dibrës) u deklaruan të rrëzuar. Kjo qeveri ia la vendin qeverisë së Xhaferr Ypit, më 24 dhjetor 1921, i cili riktheu Ahmet Zogun në postin e ministrit të Brendshëm.

Kur u krijua qeveria e Xhaferr Ypit, Hasan Prishtina e ndjeu rrezikun e Zogut, nuk u paraqit në qeveri për të dhënë shpjegime për periudhën kur qe kryeministër, por u ngujua në shtëpi me të shoqen dhe pesë persona besnikë të tij, me mendjen për të bërë rezistencë të armatosur në rast të ndonjë veprimi nga forcat qeveritare. Kur një grup xhandarësh të komanduar nga kapiten Hodush Kastrati shkoi për ta marrë me forcë, ai u bëri të qartë atyre se ky veprim do të sjellë gjakderdhje. Në këto kushte, ndonëse shtëpia u mbajt e rrethuar nga xhandarët, qeveria (më mirë të themi A. Zogu ministër i Brendshëm) u detyrua të largojë forcat, duke vënë kushtin detyrues që Hasan Prishtina të largohej nga Shqipëria.

Në këtë rast Hasan Prishtina bëri një gjest të lartë fisnikërie dhe shprehu karakterin e tij të thellë demokrat, ndërkohë shmangu një gjakderdhje të parapërgatitur ndërmjet shqiptarëve. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, më 22 dhjetor 1921, Hasan Prishtina ka kundërshtuar përbërjen e komisionit hetimor të krizës ministrore me anëtarë Mehdi Frashërin, Maliq Bushatin dhe Bahri Omarin (në këtë komision bënte pjesë edhe miku i tij Mustafa Kruja).

Më 10 janar 1922, i përkrahur nga Luigj Gurakuqi dhe Ramiz Daci, i ka shkruar Bajram Currit, duke i kërkuar organizimin e kryengritjes për të përmbysur qeverinë. Në mars 1922 Hasan Prishtina organizoi e kreu veprime diplomatike dhe me forcën e armëve, në bashkëveprim me Bajram Currin, Hoxhë Kadriun e të tjerë, për rrëzimin nga froni të Ahmet Zogu.

ANTIZOGISTI I PËRBETUAR

Është cilësuar si një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922, aktivitet të cilën e vazhdoi edhe më vonë deri në vitin 1923. Pas kësaj, ashtu sikurse u ndodhi deputetëve të sipërpërmendur dhe disa udhëheqësve të tjerë nga Kosova, në vitin 1922, kohë kur qeveria shqiptare e kryesuar nga Ahmet Zogu dhe Xhaferr Ypi lidhi marrëdhënie me Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, iu hoq mandati i deputetit dhe filloi ndjekja për eliminimin fizik të tij. Duke qenë në ndjekje nga ushtria serbe, madje edhe brenda territorit shqiptar, ai bëri përpjekje, me gjithë Bajram Currin, të organizonin kryengritje kundër regjimit serb në tokën kosovare. Kjo u tentua në shkurt 1923, por kryengritja u shtyp dhe pasoja goditi mbi 3500 shqiptarë që u detyruan të largohen nga trojet e tyre dhe të marrin rrugën e Turqisë.

Prishtina ka qenë përkrah Nolit e Gurakuqit në ngjarjet e qershorit 1924 dhe një nga burrat më aktiv për zbatimin e programit të qeverisë së Nolit. Më 26 shtator 1924, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, etj., mori pjesë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, duke kundërshtuar me fakte barbarizmin dhe gjenocidin që ndiqte klika sllave e Beogradit ndaj popullit shqiptar, në trojet e veta në Kosovë.

Pas dështimit të lëvizjes së qershorit 1924 dhe rënies së qeverisë së Nolit, u detyrua të largohet përfundimisht nga toka shqiptare dhe të jetojë jashtë atdheut. Për 11 vjet rresht, ndonëse në mërgim, qëndroi deri në vdekje në krahun e lëvizjes përparimtare për interesa kombëtare shqiptare, i ndjekur njëherazi nga serbët dhe nga qeveria e Zogut. Me largpamësinë që e karakterizonte u përpoq që çështjen e Kosovës ta lidhte e ta bashkërendonte edhe me popujt e tjerë ballkanikë, për ta shpëtuar dhe çliruar nga zgjedha e regjimeve shoviniste të huaja, duke propaganduar fuqishëm krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, përjashtimit të çdo forme të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit.
Në një intervistë dhënë një gazetari të fletores “Giornale d’Italia”, më datë 8 dhjetor 1927, Hasan Prishtina ka vlerësuar Traktatin e Zogut të lidhur me Italinë. Duket paradoksal fakti, por në ketë mënyrë dhe me këtë veprim ai ndikonte në ekzaltimin e politikës së armikut të tij, Ahmet Zogut

VLERËSIME TË LARTA, POR EDHE KRITIKA PËR FIGURËN E HASAN PRISHTINËS

Veziri turk e ka akuzuar si rebel që kërkonte t’i vinte zjarrin Perandorisë Osmane. Është akuzuar për organizimin e një atentati ndaj Ahmet Zogut në Vjenë, ku u vra një nga oficerët shoqërues të tij (Llesh Topallaj).

Atdhetarizmi i tij nuk përligj largimin nga qeveria e Vlorës dhe bashkimin e tij me Esad Toptanin. Kur ka qenë në mërgim është ndihmuar prej italianëve me një shumë prej 30 000 lira italiane në muaj, për të përballuar nevojat ekonomike. Mehdi Frashëri, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, më 22 dhjetor 1921, e ka cilësuar “irredentist shqiptar”, “ndoshta patriot”, por me një natyrë turbulluese që kërkonte gjithnjë aventura.

Ka qenë nga patriotët më në zë në Kosovë, një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes patriotike. Ka qenë nga bejlerët më të pasur të Kosovës, një pjesë të pasurisë e ka vënë në shërbim të interesave kombëtare.
Gjysma e studentëve të shkollës normale të Elbasanit kanë qenë nga Kosova dhe shumica e tyre është mbajtur me shpenzimet e patriotit Hasan Prishtina. I përkrahur nga udhëheqësia e klubit arsimor “Bashkimi” të Shkupit ai i dërgoi në Normalen e Elbasanit 38 nxënës nga Kosova shumicën me financim të tij. Së këndejmi, rilindësi Josif Bageri, duke shkruar për kontributin e Hasan Prishtinës për shkollën shqipe dhe lirinë e Shqipërisë, do të konstatojë: “Ky trim biri i Shqipnis është shembull me veprat e tij kaq shumë shqiptarëve”.

H.PRISHTINA: PA KOSOVË S’KA SHQIPËRI…!

Ai përherë ka menduar se nuk mund të ketë Shqipëri pa Kosovën dhe në këto kushte ka rënë viktimë e propagandës italiane duke rrezikuar ekuilibrin e vendosur në kongresin e Lushnjës. Është shquar për guxim të lartë në veprimtarinë politike. Gjatë periudhës 1921-1924 Prishtina u shqua si një politikan aktiv dhe guximtar për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Eqrem bej Vlora ka thënë se Hasan Prishtina ishte “i mençur, i shkolluar, njeri me karakter e atdhetar i flaktë, ai punoi në mënyrë të shkëlqyer për autonominë e vendit të tij, duke arritur, sidomos në këtë periudhë të dytë dhe të fundit të Risorgimentos (Rilindjes) shqiptare, të behet një nga personalitetet që zunë vend nderi në historinë shqiptare”.

Është shprehur se: “Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit, do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im”; “Akuza, shpifje, kërcënime, rreziqe nuk më kanë frikësuar kurrë deri më sot, e kundërshtarët e mi le të janë të sigurt se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me shtrue vetën vdekja” .

Pesë vjet para martirizimit do të saktësojë: “Unë kam një rrugë të caktuar para mejet, atë kam shkelë dhe atë do të shkelë deri në vdekje, rrugën e indipendencës ma të plotë të tan Shqipnisë!”

Gazeta “Lirija”, duke publikuar deputetët e zgjedhur në të katër vilajetet bën të ditur se janë zgjedhur: “Në Prishtinë: Fuad Pasha, myfti Hafëz Mustafa efendiu, Hasan beu nga Vuçiterni”.

Gazeta “Bashkimi i Kombit”, duke komentuar kontributin e Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar ka shkruar :”…bleu një togë abetare për të dhuruar…kudo që vajti, me këdo që foli ky burrë i ditur dhe i zgjuar bëri një përshtypje fort të madhe…Ai hapi një shkollë në Moravë, një shkollë tjetër në Gjilan dhe një tjetër ndë Pozeran. Përveç këtyre kanë gjetur pesë djem të varfër nga ato vise të cilët do t’i dërgojë në shkollë Normale të Elbasanit edhe do t’i përmbajë vetë…Pastë shëndet dhe jetë të gjatë ky mëmëdhetar i vërtetë që rron jo për vete por për kombin, po edhe kombi do të vijë koha që të ngrejë përmendore këtyre burrave që kanë bërë dhe bëjnë kurban pasjen edhe jetën për të mirën e mëmëdheut” .

Gazeta “Bashkimi i Kombit”, duke komentuar përpjekjet e Prishtinës për mbrojtjen e alfabetit latin të gjuhës shqipe ka cituar thëniet e tij: “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për atdheun, për mbrojthtësinë e vendit tonë…” . Po kjo gazetë, shkroi; “Dy javë më parë i skëlqyeri Hasan bej Prishtina lajmëroi shkollën Normale me tejshkrim se nisi 16 çuna. Këto lajme u përhapën si një shkëndijë elektrike në të gjithë anët e Elbasanit dhe një gas i madh pushtoi zemrat e të gjithë shqiptarëvet”.

Në vitin 1910 Hasan Prishtina u bë tribun i fjalës së zjarrtë në mbrojtje të shqiptarëve që po masakroheshin barbarisht nga Xhavid pasha (fjala në parlamentin turk më 3 prill, ku përmenden Gjakova, Blaca, Luma e Peja) dhe nga Shefqet Turgut pasha për veprimet e të cilit ai kërkoi më 4 prill thirrjen në parlament të kryeministrit për të dhënë shpjegime.

Më 11 qershor ai proteston në parlament për nivelin e ulët të mësuesve të shkollave fillore ndërsa më 7 dhjetor ka debatuar ashpër me kryeministrin turk për gjendjen e rëndë dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga politika reaksionare e xhonturqve. Në një replikë me kryeministrin, gjatë këtij debati, ai është shprehur: “Nuk kërkonj asnjë pozitë…Megjithatë, mendoj që në qoftë se një kabinet, cilido qoftë ky, që vjen në fuqi, nuk heq dorë nga kjo politikë dhune e terrori, dhe në qoftë se nuk pranon si vijë politike bazë, atë të bërjes për vete të popullit dhe të krijimit të kënaqësisë së përgjithshme, atëherë ai nuk ndjek një vijë veprimi që përputhet me interesat e atdheut. Meqenëse përpjekjet e mia janë përqendruar të gjitha në këtë fakt, e quaj si detyrë që ta përsëris vazhdimisht këtë”.

Tre ditë më vonë ai ka debatuar përsëri ashpër me kryeministrin Haki pasha, duke e kërcënuar se: “Sikur të kishte një qeveri me regjim konstitucional, pa dyshim sot Sadrazemi duhet të ishte në gjykatore të lartë”.

Papajtueshmëria e tij ndaj qeverisë xhonturke ka vijuar me ashpërsi edhe në vitin 1911, sikurse përmenden rasti për protestën e tij lidhur me regjistrimin e popullsisë, ku për interesa të shtetit në përfitim të taksave për një banorë regjistrohen fiktivisht dhjetë vetë, gjë për të cilën “populli i Kosovës ka marrë dallgë dhe është revoltuar në kulm,…populli ka të drejtë t’i kundërshtojë,…qeveria po ua shton taksat, duhen pasur parasysh jo vetëm interesat e qeverisë dhe të thesarit të shtetit por, përpara së gjithash, duhet të kemi parasysh të drejtat e popullit,…në Kosovë, për shkak të regjistrimit të tanishëm ka lindur një pakënaqësi jashtëzakonisht e madhe” .

PËR VEPRIMTARINË POLITIKE TË HASAN PRISHTINËS SHTYPI I KOHËS PUBLIKONTE NË VIJIMËSI AKTIVITETET

Për veprimtarinë tepër aktive të Hasan Prishtinës, në prag të shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë kanë shkruar shumë gazeta të asaj kohe. Gazeta “Lirija e Shqipërisë” në artikullin “Shqipëria e Re” shkroi: “…Ky zotni më parë deputet i Prishtinës qe një nga më të naltit përfaqësonjës të kombit shqiptar i cili trimërisht i mbronte të drejtat shqiptare në parlament të Turqisë. Këto vepra e përpjekjet e tija për dërgimin e 40 e ca djelmve nga Kosova në shkollën normale të Elbasanit, shkrimet e botimet e tij në gazeta në gjuhët turqisht, të gjitha për të mirë të Shqipërisë, si kundër edhe dalja e tij kryengritës në Kosovë e rritën kaq shumë emrin e tij sa arriti të jetë Hasan Prishtina një nga më të mëdhenj atdhetar…” . Po kjo gazetë, njoftoi se: “Hasan Prishtina (pasi ka mundur të dalë nga burgjet serbe) më 16 korrik, të shtunën, ka ardhur nga Trieste në Vlorë, së bashku me Ismail Qemalin”. Gazeta bën me dije se “Hasan be Vuçiterni, i njohur deputet i vjetër në parlament të Turqisë,…ishte mbajtur pesë muej në kështjellë të Beogradit”.

Në vitin 1920, rezulton të ketë qenë me qëndrim në Vjenë, nga ku, më 7 janar, i ka shkruar mikut të vet Sotir Kolea, që t’i bëjë të ditur konferencës së Paqes masakrat e serbëve ndaj popullit shqiptar në krahinën e Kosovës.

Të nesërmen e caktimit në postin e kryeministrit ka nxjerrë urdhrin e parë, më 8 dhjetor 1921, ku ka theksuar: “Mbas dorëheqjes së shkëlqesisë së tij Qazim Koculi formimi i kabinetit m’u ngarkua mua. Duke u mbështetur në atdhedashurinë e popullit këtë barrë të rëndë e mora mbi vete. Shpëtimi dhe përparimi i atdheut varet në qetësinë e bashkëveprimit të të gjithë bashkatdhetarëve. Pra, ju lutem që të mbani qetësinë dhe rregullin plotësisht. Ligji duhet të mbahet njësoj për gjithë nënshtetasit. Ky është urdhri im i parë që u jepet”.

Dy nga ministrat e tij, Luigj Gurakuqi (ministër i Brendshëm) dhe Fan Noli (ministër i Jashtëm), kur u krijua kabineti ishin jashtë Shqipërisë, gjë e cila është e provuar me dokumente arkivore. Sipas dokumenteve të dosjes, në gjuhën frënge është paraqitur kabineti qeveritar i H. Prishtinës, ku bëjnë pjesë: Luigj Gurakuqi (ministër i Brendshëm), Zija Dibra (ministër i Luftës), Hoxhë Kadriu (ministër i Drejtësisë), Koço Tasi (ministër i Financave), Kristo Dako (ministër i Punëve Botore), Haki Tefiku (ministër i Arsimit Publik).

Më 11 dhjetor, ai i ka paraqitur dorëheqjen Këshillit të Naltë, ku ndër të tjera ka shkruar: “…Kabinetin u mundova me e krijue në mënyrë që të pëlqehej si prej shkëlqesisë suaj ashtu dhe prej gjithë popullit tue zanë rrugën shumë ankimeve që kanë pas shkaktue deri më sot një ftohtësi të madhe ndërmjet krahinavet të ndryshme të atdheut e sidomos ndërmjet Jugës e Veriut. Por një fuqi misterioze e cila me mjetet ma të ndryshme që ka përdor gjithmonë për me mbajtun fuqinë qeveritare në dorë e për me bamun shtetin shqiptar vegël interesash personale edhe këtë herë me propagandat ma të turpshme e rrënimqare helmoi oficera e ushtarë, mësues e nënpunës tue bamun me lanë detyrën e shenjt që ju ka ngarkuem shteti mbi krye. Krijoi nji situatë aq të rrezikshme sa që shtrëngoi edhe shkëlqesën tuaj me kujtue nevojën e dorëheqjes. I shtrohemi pra kësaj nevoje dhe paraqis në duar të shkëlqesisë tuej dorëheqjen e kabinetit t’im tue vajtue hallin e atdheut të dashur derisa ta shpëtojmë”.

Sipas një telegrami që Prishtina i ka dërguar Nolit, ku e fton të paraqitet në detyrë, rezulton se Bajram Fevziu dhe Mustafa Maksuti fillimisht kanë refuzuar dorëzimin e detyrës, (kur u caktua kryeministër Koculi) gjë të cilën e kanë bërë me detyrim një ditë më vonë . Të dy ishin kundër kabinetit qeveritar të kryesuar nga Hasan Prishtina.

Si kundërshtar i rreptë i Ahmet Zogut, i është bashkuar protestës kundër tij dhe ka nënshkruar dokumentin që thekson: “Mjerisht fjalët e këshillat e qeverisë deri tashti nuk patën asnjë efekt mbi shpirtin rebel të deputetit të Matit, z. Ahmet bej Zogollit, i cili me një fuqi të lidhur pas tij për interesa personale ka vendosur për t’u bërë diktator në Shqipëri…”.

KUNDËRSHTARI I MBRETIT ZOG U NDOQ DERI NË VRASJEN E TIJ
Qeveria e Zogut nuk mund të pajtohet me sjelljen e Hasan Prishtinës dhe vihet në ndjekje të tij për ta arrestuar. Janë një numër i shumtë shkresash dërguar prefekturave të vendit për këtë problem. I ndodhur në këto kushte, në gusht 1922, ai bëri përpjekje për t’u larguar nga Shëngjini por dështoi nga që ndiqej këmba-këmbës prej forcave të xhandarmërisë. Në këtë ndjekje ka marrë pjesë edhe majori Rexhep Shala (në atë kohë zëvendëskomandant i regjimentit III në Shkodër), i cili më datë 4 janar 1923, nëpërmjet një telegrami drejtuar Ministrisë së Luftës për organizimin e lëvizjes antizogiste nga Hasan Prishtina e nipi Bajram Currit, Hysniu, shkroi: “Lajmohemi nga Puka se Hasan Prishtina me Hysni Currin i kanë deklarue popullit qarkut Kosovës për me i kapë pushkët e me i ra qeverisë edhe ushtrisë qi gjindet ndër ato qarqe. Janë tue mshtjellë njerëz për me pushtue Krumen. Sot u dërgue një kompani në Pukë edhe u morën masat e duhuna” . I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila më 9 janar urdhëron: “Përgatitni fuqitë dhe nisni në ndjekje të rebelave…me doemos (ata) të zihen ose të vriten” . Këtë urdhër e ka përcjellë edhe ministri i Luftës Ismail Haki Tatzati: “Hasan Prishtinën me shokë ti xeni ose t’i vrisni në mos hyshin në dorë me çdo mënyrë. Ata që kan guxue me i mbrojt apo arratisen me ta të ndiqen e të dënohen sikur vet kryetarët…Operacioni të bëhet shpejt e i rrebtë…” .

Në tetor të vitit 1923, prokurori J.H. Hima, në Prokurorinë e përgjithshme të Shkodrës, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë Vendimin e dënimit me vdekje të Hasan Prishtinës, duke këmbëngulur në dërgimin e tij para datës 23 tetor.Në pamundësi për të shpëtuar nga ndjekjet e pafundme, më 25 tetor 1923, Hasan Prishtina detyrohet të emigrojë jashtë vendit. Sapo ka mbërritur në tokën italiane Prishtina vihet në kërkim të materialeve luftarake për lëvizjen antizogiste. “Kam marrë premtim të fortë për 50 milionë fishekë, 20 000 pushkë, 12 topa e materiale luftarake”,-i shkroi ai Bajram Currit (në osmanishte), më 2 nëntor 1923, nga Roma.
Shtypi italian, duke shkruar për Hasan Prishtinën, evidentoi se: “Prej disa ditësh ndodhet në Romë, Hasan bej Prishtina, ish ministër shqiptar dhe aktualisht kreu i opozitës ndaj qeverisë së Ahmet Zogut. Sikundër dihet, para disa muajsh, ai u dënua me vdekje, por mundi të arratisej maleve nën mbrojtjen e çetave besnike të tij…Pamja e rreptë dhe e qetë e Hasan beut nuk të le të kuptosh se ai ka qenë protagonist ngjarjesh të stuhishme, aq më pak e tregon këtë e folura e tij e matur dhe e kursyer prej diplomati”. Në janar të vitit 1924, Vjena njoftoi legatën italiane në Tiranë se: “…ky person në kryeqytetin tonë ka kontakte të vazhdueshme me ministrin tregtar sovjetik, të akredituar pranë qeverisë sonë. Nga kjo kuptohet se atyre u paraqitet si përfaqësues legal i një komiteti qendror të veprimit shqiptaro-maqedonas, eksponenti kryesor i të cilit është Bajram Curri”.

H PRISHTINA MBAJTI FJALËN MORTORE PËR GURAKUQIN E VRARË

Hasan Prishtina u ndodh në Itali kur u vra Luigj Gurakuqi, madje ai ka mbajtur fjalën mortore në ceremoninë e varrimit të atdhetarit Gurakuqi, në Bari të Italisë, në mars 1925, ku ndër të tjera theksoi: “Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm. Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë. Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë! O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta. Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”!

Në vitin 1927, Hasan Prishtina ka një angazhim më të madh në mbrojtje të çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Tipike është një letër që ai i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, sër Erik Drymmond, më 15 mars 1927, të cilit i lutet që “të merren masa të tjera për të ndihmuar një popull të shtypur e të torturuar”. Këtu ai evidenton një popullsi të mjeruar prej një milion banorësh, të cilët shtypen, nuk kanë shkolla amtare, po shfarosen, vriten, plaçkiten e dëbohen nga trojet e tyre.

MBRETI ZOG EDHE NË VJENË BËRI PËRPJEKJE TA VRASË H.PRISHTINËN

Në vitin 1928, Ahmet Zogu nuk mund të durojë më tej akuzat e luftën publike të Hasan Prishtinës, prandaj dërgon në Vjenë agjentin Ibrahim Lisi për ta vrarë. Këtë ligësi të tij e demaskon gazeta “Ora e Shqipnisë”, e cila shkroi: “…Më 4 të këtij muaji të tana fletoret e Vjenës e të provincjes i dhanë nji alarm botës për këtë zbulim sensacional të nji atentati të përgatitun e të subvencjuenuem nga presidenti i Republikës Shqiptare. Sidomos “Neue Frei Presse” e fletorja e Seipelit “Reichsport” atakuenë faret rreptas Ahmed Zogun dhe i hoqnë vërejten qeverisë së tyne qi pranonte në Vjenë një konsull i cili zyrën e tij e kishte shndrrruem në shpellë kompllotesh. Fletoret të gjitha u dalin zot nacjonalistavet shqiptar e kërkojnë qi nën nji flamur zyrtar mos të durohen në Vjenë asasinët e sikarët e Zogut”.
Gazeta austriake pati shkruar, ndër të tjera: “Lisi ia hedh fajin presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmed bej Zogut, se ky bashkë me dy persona të tjerë e ka shty me vra Hasan bej Prishtinën, i cili sot padyshim është nga kundërshtarët ma të mëdhenj e ma të rrezikshëm të Zogut…”.
Gazeta “Ora e Shqipnisë”, më 28 shkurt 1928 shkroi: “…bisha nuk është ngopur ende. Gjaku që tash sa vjet po thith nga dejet e më të mirëve shqiptarë nuk e ka shuar ende etjen e gjakpirësit president…Tiranët kanë etje për gjak. Këtë herë Ahmet Zogu don të shkelë mbi trupin e Hasan Prishtinës”.
I betuar deri në vdekje si armik i Ahmet Zogut, Hasan Prishtina deklaroi në gazetën “Ora e Shqipnisë”: “…Atë ditë qi për të mirën e atëdheut hyëna në fushën e politikës, kam pranue edhe të gjitha ataket, kundërshtimet, akuzat e shpifjet e atyne të cilët në veprimet e mia o do të shifeshin, të gënjyëm, rrënimin e atdheut, o do të konsideroshin të mërzitun, pengimin e realizimit të qëllimeve të tyre personale… Unë jam kenë dhe jam prap sot anmik i rrebët i politikës jugosllave në Shqipni, pse kam kenë dhe jam prap sot plotësisht i bindun qi interesat e atij shtetit janë fare në kundërshtim me interesat e shtetit t’onë shqiptar… Në vend të një kolltukut me turp në Stambollë preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës. Akuza, shpifje, kërcnime, rreziqe nuk më kanë frikësue kurr deri më sot e kundërshtarët e mij le të jenë të sigurtë se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit. Unë kam nji rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje-rrugën e indipendencës ma të plotë të tanë Shqipnisë! Rrugën e trathëtisë as nuk e kam shkelë as nuk do t’a shkeli kurrë edhe pse disave sot po u kande me më quajt publikisht tradhëtor! Në kjoftë se këta kanë ngulë syet në personen t’eme tue kujtue se unë trembem prej shpifjeve të tyne e do të ndërroj rrugë, u diftoj kjartas se kanë gabue adresë. Nderin t’em si njeri e si shqiptar çëmoj, e tham me kreni, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mue n’iden t’eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!” Në qershor 1928 gjyqi hetues i posaçëm ka nxjerrë letër ndalimin për Hasan Prishtinën, ku thekson: “I sipërpërmenduri është i pandehur për një çështje atentati, vepra e tij është krim…mbasi u mor mendimi i Prokurorisë, u pa e nevojshme të ndalohet për një kohë të pacaktuar; çdo ftues, polic o xhandar është i detyruar ta sjellë në gjyq të Tiranës”.

HASAN PRISHTINA DËNOHET ME VDEKJE NË MUNGESË..

Kryetari i Gjyqit Politik, Shefki Shatku, ka vendosur: “…Kryesia e Gjyqit Politik që prej datës shpalljes së këtij vendimi të pandehurit të lartpërmendur i jep dhjetë ditë afat për t’u prezantuar para gjyqit. Në qoftë se nuk i paraqitet gjyqit brenda këtij afati vërteton se nuk don t’i bindet ligjës dhe kështu gjyqi do ta shikojë në mungesë, kanë me ju rrëzuar të drejtat civile, ka me ju sekuestrue pasuria dhe në asnjë mënyrë nuk do të ketë të drejtë ankimi mbi veprimet e kryera. Të gjithë xhandarët dhe policët janë të detyruar në zënjën e tijë”.

Sipas një artikulli të gazetës “Ora e Shqipnisë”, u bë e ditur se Hasan Prishtina dënohet “me vdekje incontuniaciam (në mungesë),…se gjoja kishte organizue at komplot (është fjala për një atentat të padeklaruar kundër Zogut). Kjo asht hera e pestë qi ky patrijot dënohet me vdekje” . Në këtë numër të “Ora e Shqipnisë” Prishtina përgënjeshtroi lajmin se ka kurdisur komplot kundër A. Zogut, duke u shprehur “ky lajm asht krejt i trilluem e nuk asht tjetër veç se nji manovër e kjartë e Zogut me mujtë me çue në vend qëllimet e veta”. Duke argumentuar përse Zogu vepron në këtë mënyrë, Prishtina nuk nguron të akuzojë se “Ahmet Zogu, sikur jam i lajmuem nga Shqipnia, nuk e ka hjekë ene mendimin me më largue këso jete nonse nuk i duel herën e fundit nëpërmjet Ibrahim Lisit”.

Edhe në vitin 1929, ai i është drejtuar Lidhjes së Kombeve, duke protestuar për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve nën sundimin serbo-kroato-slloven, ndërsa në vitin 1930 ka dërguar një memorandum në adresë të këtij organizmi të lartë ndërkombëtar, duke hedhur poshtë deklaratën e qeverisë jugosllave mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe ndërkohë kërkon dërgimin e një komisioni hetues. Edhe në vitin 1931, ai ka protestuar për këtë problem, në emër të bashkatdhetarëve të tij në Konstancë të Rumanisë.
Gjatë këtyre viteve të fundit në emigracion, Hasan Prishtina ka banuar defenitivisht në Stamboll, por në janar 1933 i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë së Vjenës t’i miratohet leja për t’u rikthyer sërish në kryeqytetin austriak. Autoritetet policore austriake, duke vlerësuar ekspozimin e veprimeve të tij politike, nuk e kanë miratuar lutjen e paraqitur.

Kryekonsulli shqiptar në Rumani ka njoftuar më 16 mars 1933 Ministrinë e Jashtme se në Rumani Hasan Prishtina “ësht’ konsideruar i dyshimtë”. Sa sipër ka kërkuar të jepen të dhëna për pasaportën që mban, të dërgohet ndonjë fotografi, me qëllim që të njihet dhe të kapet e të burgoset nga organet e Sigurimit në Rumani . Të dhëna të tilla kanë dhënë konsullatat shqiptare edhe në Greqi, Bullgari dhe Austri, të cilat kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës. Më 23 qershor konsullata shqiptare në Vjenë ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se më 22 qershor 1933 autoritetet policore të Vjenës kanë dëbuar Hasan Prishtinën, i cili në këtë periudhë lëvizte me pasaportë turke, lëshuar në emër të Hasan Ahmet bej.
I ndjekur gjithandej, në fillim të korrikut Hasan Prishtina ka ndaluar në Selanik, ku u ekzekutua në mesin e muajit gusht nga njerëzit e Ahmet Zogut. Lidhur me këtë vrasje gazeta greke “Apogjevmatini”, duke akuzuar bashkëpunimin Zogu-Jugosllavia, ka theksuar se “Kjo veprimtari e tij qe nën vërejtjen e pafjetur të Jugosllavisë, që në personin e tij shihte një armik të rrezikshëm të sigurimit në shtetin jugosllav. Prandaj i binin pas kudo e kurdoherë në udhëtimet e tij në shtete të ndryshme”. Një intervistë e papërfunduar e Hasan Prishtinës, dhënë gazetës “Dajti”, shpreh qëndrimin e tij kundër Zogut, por ndërkohë edhe paaftësinë për të kuptuar se çfarë ai po përgatiste për t’u rikthyer në pushtet dhe dëbuar apo eliminuar fizikisht të gjithë kundërshtarët e vet, kur ishte në Beograd.

IU SHPËTOI KATËR ATENTATEVE- MË 13 GUSHT 1933 VRITET NË SELANIK NGA IBRAHIM ÇELO

Në jetën e tij ka mundur t’u shpëtojë katër atentateve, është burgosur dy herë nga serbo-malazezët dhe flitet se është dënuar gjashtë herë me vdekje nga xhonturqit, Esad Toptani, qarqet shoviniste serbomëdha dhe tri herë nga qeveria e mbretit Zog.

Kolosi i atdheut tonë,më 13 gusht 1933, vritet në Selanik nga njerëzit e paguar prej Ahmet Zogut dhe qarqet shoviniste serbe. Për këtë vrasje gazeta greke “Maqedonia e re”, shkroi: “Një vrasje tjetër që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtina”. Artikulli përmbante tekstin në vijim: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite, më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit.Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në krahëror dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij, vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur, që u vu për ta kapur, ia dha vrapit … Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z. Dukidhis, ku dhe iu dorëzua rojës së policisë. Por nuk mundi t’i ikë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banorët fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar prej egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vinte skuadra e policisë, u turrën edhe ata duke thirrur: “Shqyejeni, shqyejeni vrasësin”. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi t’u mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i plagosur rëndë u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta pas dite oficeri Sotiri nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke. Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet,-thotë atentatori,-m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin, Ahmet Zogun. Prishtina,-vijoi vrasësi,-më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajtën tradhëtar deri në vitin 1960.

NË SHKOLLAT E SHQIPËRISË DERI NË VITIN 1960 HASAN PRISHTINA VLERËSOHEJ”TRADHËTAR”…!

Deri në vitet 1960 Hasan Prishtina konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më pas ai u rehabilitua. Në vitin 1977 eshtrat e të ndjerit u sollën nga Greqia në Shqipëri dhe ai u varros në qytetin e Kukësit me një ceremoni rivarrimi më 6 dhjetor.
Krejt në fund,ju bëjë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës,që mos të prekin emrin më ballë të Universitetit,por të ndërmarrin veprime për kthimin e eshtrave të këtij kolosi të kombit dhe për rivarrimin e tij të dinjitetshëm në Prishtinë.

Prishtinë, më 18 maj 2024

https://www.facebook.com/share/p/cegUcECZh3JMYhb9/?mibextid=oFDknk

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit