Artisti kosovar Petrit Halilaj fiton çmimin prestigjioz “Nasher Prize” në SHBA

- Advertisement -

Artisti kosovar Petrit Halilaj është laureat i edicionit të nëntë të çmimit prestigjioz “Nasher Prize”, një prej vlerësimeve të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e skulpturës bashkëkohore.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila e ka përgëzuar Halilajn për këtë arritje, duke e cilësuar atë si një tjetër moment krenarie për artin e Kosovës.

Në njoftimin e saj, ambasada ka ftuar publikun që më 14 nëntor, në orën 15:30, të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Qendrën e Skulpturës Nasher në Dallas, për të shënuar këtë sukses të artistit kosovar.

Nasher Prize është një çmim ndërkombëtar që ndahet nga Nasher Sculpture Center në Dallas të Teksasit dhe u jepet artistëve që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e skulpturës bashkëkohore. Çmimi synon të vlerësojë artistët që kanë ndikuar në zgjerimin e kufijve të kësaj fushe përmes krijimtarisë dhe qasjeve të tyre artistike.

Halilaj është shpallur fitues i këtij çmimi në tetor të vitit 2025. Ai do të pranojë çmimin prej 100 mijë dollarësh, të cilin ka vendosur ta dhurojë për Fondacionin “Hajde!”, organizatë jofitimprurëse që e ka themeluar në Kosovë së bashku me motrën e tij, Hana Halilaj, për të mbështetur zhvillimin e artit dhe kulturës në vend.

Ceremonia publike do të mbahet më 14 nëntor. Në orën 15:30 është paraparë një bashkëbisedim i Halilajt me kuratoren e Nasher Sculpture Center, Dr. Leigh Arnold, ndërsa ndarja publike e çmimit dhe festimi do të vazhdojnë nga ora 17:00 deri në 20:00.

Çmimi “Nasher Prize”, i themeluar nga Nasher Sculpture Center, konsiderohet një nga vlerësimet më prestigjioze në artin bashkëkohor. Ai i jepet një artisti të gjallë, vepra e të cilit ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në mënyrën se si kuptohet dhe zhvillohet skulptura si formë artistike.

Halilaj, i lindur në vitin 1986 në Kostërrc të Skenderajt, është një nga artistët më të njohur kosovarë në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Veprat e tij trajtojnë tema si kujtesa, lufta, zhvendosja, identiteti dhe përkatësia, shpesh duke u frymëzuar nga historia personale dhe ajo e Kosovës

Të ngjashme

Të fundit