Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet J.R., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe zhvillimit të seancës dëgjimore nga gjyqtarja e procedurës paraprake, transmeton Klankosova.tv.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit J.R., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji” thuhet në njoftim.
Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut që i pandehuri mund të arratiset dhe të shmangë përgjegjësinë penale, duke pasur parasysh edhe faktin se ai është shtetas i Serbisë.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku që i pandehuri, nëse do të lihej në liri, të mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë, duke penguar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.






