Barreto triumfoi mes më shumë se 110 konkurrenteve nga vende dhe territore të ndryshme të botës, duke i dhuruar Porto Rikos kurorën e gjashtë në historinë e këtij kompeticioni, pas dy dekadash pa një fitore.
27-vjeçarja nga Mayagüez ka përfunduar studimet në psikologji dhe zotëron dy diploma masteri, në psikologji dhe punë sociale klinike. Përpara pjesëmarrjes në konkurs, ajo ka punuar me familjet e personelit ushtarak amerikan, duke ofruar mbështetje për personat e prekur nga dhuna në familje dhe abuzimi ndaj fëmijëve.
Përtej karrierës profesionale, Jennifer Barreto është edhe nënë e një vajze shtatëvjeçare, të quajtur Penelope. Pikërisht ky fakt e bën fitoren e saj historike, duke shënuar një tjetër hap drejt përfshirjes dhe diversitetit në konkursin e bukurisë.
Në pesëshen e fundit, krahas fitueses nga Porto Riko, u renditën Melissa Núñez nga Republika Dominikane, Clara Vegas Goetz nga Venezuela, Bea Millan-Windorski nga Filipinet dhe Georgia Waddington nga Zelanda e Re.






