Karrierës së Mohamed Salahut te Liverpooli po i vjen fundi, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai do të largohet nga futbolli britanik.
Sulmuesi 33-vjeçar ka vetëm edhe katër ndeshje të mbetura me “The Reds”, pasi ka konfirmuar largimin në fund të sezonit.
Ai do të largohet si një nga legjendat më të mëdha të klubit, duke qenë golashënuesi i tretë më i mirë në histori, pas Ian Rush dhe Roger Hunt.
Ndërkohë që shumë klube nga Europa dhe bota janë të interesuara për të, një opsion surprizë ka dalë në skenë: Rangers.
Këshilltari i klubit skocez, Stig Inge Bjørnebye, zbuloi se brenda klubit është diskutuar mundësia e një transferimi të madh për Salahun.
“Nuk e di çfarë planesh ka Mo, por e kemi diskutuar këtë çështje. Ai është një legjendë e vërtetë e Liverpoolit dhe ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme”, tha ai.
Ai shtoi se interesimi për Salahun ekzistonte edhe verën e kaluar, por lojtari zgjodhi të qëndronte në “Anfield”.
Megjithatë, Rangers nuk është i vetmi opsion.
Klubet e Saudi Pro League mbeten ndër favoritët, sidomos Al Ittihad, që në vitin 2023 kishte ofruar rreth 150 milionë paund për të.
Gjithashtu, interesim ka edhe nga MLS dhe gjigantë europianë si Paris Saint-Germain dhe Bayern Munichu.
E ardhmja e Salahut mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt: kapitulli i tij te Liverpooli po mbyllet, ndërsa një aventurë e re është shumë pranë.





