Një kapitull i ri dhe historik për zhvillimin e futbollit të të rinjve në Kosovë ka nisur sot me inaugurimin e FIFA Talent Academy, një projekt i FIFA-s që sjell në vendin tonë standardet më të larta ndërkombëtare për identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të reja.
Pjesë e gjeneratës së parë të Akademisë janë 40 talente nga e gjithë Kosova – 20 vajza dhe 20 djem, të përzgjedhur për të nisur një rrugëtim të veçantë zhvillimi, ku talenti i tyre do të mbështetet me punë profesionale, metodologji bashkëkohore dhe ekspertizën e FIFA-s.
Për këta fëmijë, FIFA Talent Academy do të jetë shumë më tepër sesa një vend për stërvitje. Ajo do të jetë një hapësirë ku talenti takohet me dijen, disiplinën dhe mundësinë; një ambient ku ëndrrat e tyre për futbollin do të kenë mbështetjen dhe kushtet e nevojshme për t’u zhvilluar.
Inaugurimi i FIFA Talent Academy në Kosovë përbën një moment të veçantë dhe historik për futbollin tonë.
Akademia e talenteve e FIFA-s në Kosovë është e treta në Evropë, por e para që funksionon me djem dhe vajza. Është e para e këtij lloji në regjion dhe e 15-ta në botë.
Ky projekt është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit dhe partneritetit të fuqishëm ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, por mbi të gjitha është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e futbollit tonë.
Përmes kësaj Akademie, synimi është që talentet të identifikohen që në moshë të re dhe t’u krijohet një rrugë e strukturuar zhvillimi, në mënyrë që potenciali i tyre të kultivohet sipas standardeve më të avancuara të futbollit botëror.
Sot, 20 vajza dhe 20 djem nga e gjithë Kosova e nisin këtë rrugëtim. Ata përfaqësojnë jo vetëm gjeneratën e parë të FIFA Talent Academy në vendin tonë, por edhe ëndrrat e mijëra fëmijëve që çdo ditë luajnë futboll dhe ëndërrojnë që një ditë ta përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. 💙
Sot nis një Akademi.
Sot nis një rrugëtim.
Sot investojmë në talentin që nesër do ta ndërtojë të ardhmen e futbollit të Kosovës. 🇽🇰⚽️🌍






