Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, e cila ishte e dashura e tij, në Fushë-Kosovë në vitin 2023.
Në seancë janë të pranishëm prokurori Armend Hamiti, i akuzuari Nika dhe mbrojtësi i tij, avokati Tomë Gashi. Pala e dëmtuar po merr pjesë përmes video-lidhjes, e përfaqësuar nga avokati Betim Shala.
Nika ishte dënuar më 19 shkurt 2026 me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Në seancën e 28 majit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 11 shkurt 2025, Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, e kishte goditur disa herë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika, me qëllim të privimit të saj nga jeta, e kishte goditur dhe shtyrë drejt dritares. Si pasojë, sipas Prokurorisë, ishte nxjerrë korniza e dritares dhe viktima kishte rënë nga kati i gjashtë i hotelit.
Viktima kishte pësuar lëndime të rënda dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Nika ngarkohet me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Kosovës.






