Chelsea është shumë afër që të realizojnë transferimin e parë nën epokën e trajnerit të ri Enzo Maresca.
Maresca në fakt nuk është konfirmuar zyrtarisht si pasues i Mauricio Pochettinos në ‘Stamford Bridge’, por emërimi i tij është i pashmangshëm dhe pritet që të njoftohet së shpejti.
Sipas Fabrizio Romanos, Maresca do të nënshkruaj një kontratë pesë vjeçare, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Klubi londinez gjithashtu do ta paguajë Leicester Cityn, ekip të cilin Maresca e udhëhoqi drejt titullit në Championship vetëm disa javë më parë, një kompensim në vlerë prej 8.5 milionë eurosh.
Chelsea ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro në transferime që prej se Clearlake Capital dhe Todd Boehly e blenë klubin në vitin 2022, ani pse duket që blerja e parë e epokës së Marescas nuk do t’iu kushtojë fare atyre.
Siç shton tutje Romano, Chelsea janë në fazën finale të negociatave me mbrojtësin e Fulhamit, Tosin Adarabioyo.
26-vjeçari do të jetë një lojtar i lirë kur kontrata e tij në ‘Craven Cottage’ do të skadojë më vonë gjatë këtij muaji, që do të thotë se Chelsea do të duhet të paguajë vetëm pagën e tij.
Neëcastle kishte punuar për të nënshkruar me Tosin gjatë javëve të fundit, por tani duket se Chelsea të cilët do të garojnë në Ligën e Konferencës sezonin e ardhshëm, do ta fitojnë këtë garë.