Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka njoftuar se nga 9 qershori hyn në fuqi udhëzimi administrativ për lëshimin e Certifikatës së Kompetencës Profesionale (CKP).
Basha, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se ky është një lajm i mirë për shoferët e kamionëve dhe autobusëve të transportit ndërkombëtar.
Sipas tij, nga java e ardhshme kur udhëzimi hyn në fuqi, do të zhbllokohet përfundimisht procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë me Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP), duke eliminuar pengesat e kahmotshme.
Postimi i tij i plotë:
Lajm i mirë për shoferët e kamionëve dhe autobusëve të transportit ndërkombëtar – Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ për CKP-në, i cili hyn në fuqi më 9 qershor!
Që nga marrja e mandatit si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, kam pranuar shqetësime të shumta nga shoferët dhe operatorët e transportit lidhur me vështirësitë e krijuara nga mungesa e bazës së qartë ligjore për lëshimin e Certifikatës së Kompetencës Profesionale (CKP), situatë që kishte ndikuar në gjoba të shumta ndaj tyre dhe vështirësi në kalimin e kufirit.
Për këtë arsye, menjëherë kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke formuar grupin punues dhe duke angazhuar të gjitha kapacitetet profesionale për trajtimin e kësaj çështjeje me prioritet. Prandaj, në kohë rekord kemi hartuar dhe finalizuar Udhëzimin Administrativ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MMPHI) nr. 15/2024, të cilin e nënshkrova sot.
Nga java e ardhshme kur Udhëzimi hyn në fuqi, do të zhbllokohet përfundimisht procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë me Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP), duke eliminuar pengesat e kahmotshme






