Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës ka nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi me Institutin për Trashëgimi Kulturore Islame, në cilësinë e palës së autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Memorandumet u nënshkruan nga ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe kryeimami i Institutit për Trashëgimi Kulturore Islame, Vedat Sahiti, në prani të kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava.
Përmes memorandumit të parë, palët kanë dakorduar bashkëpunimin në hartimin dhe zbatimin e projektit për rikonstruktimin e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicë, duke përcaktuar parimet dhe përgjegjësitë institucionale në këtë proces.
Ndërsa, memorandumi i dytë synon vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të paluajtshme, të luajtshme dhe shpirtërore të besimit islam në Republikën e Kosovës.






