Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka deklaruar se kredia prej 74 milionë eurosh, e dedikuar për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Musmurati ka bërë të ditur se këtë çështje e ka diskutuar në një takim me përfaqësues të Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), ku, sipas saj, është rikonfirmuar se kredia ende nuk është nënshkruar nga ministri Murati
Bëhet fjalë për një marrëveshje financiare prej 74 milionë eurosh, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte nënshkruar me Qeverinë Gjermane dy vjet më parë.
Përmes këtij financimi ishte paraparë blerja e më shumë se 100 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, furnizimi me 10 mijë kontejnerë, si dhe ndërtimi i një qendre moderne për riciklimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës.
Musmurati ka kritikuar ministrin Murati për mosnënshkrimin e kredisë, duke e cilësuar këtë veprim si pengesë për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet.
“Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës”, ka deklaruar Musmurati.
Deri më tani, në këtë komunikatë nuk është paraqitur ndonjë qëndrim i ministrit Hekuran Murati lidhur me pretendimet e nënkryetares së Prishtinës.






