Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka emëruar vëllain e tij, Igor Rashiq, në pozitën e shefit të kabinetit.
Rashiq e ka konfirmuar vetë emërimin në një deklaratë për Vox Kosova, duke thënë se vëllai i tij ka qenë personi më kompetent dhe më i përshtatshëm për këtë pozitë.
“Po, Igori është vëllai im. Jo, nuk ka pasur person më kompetent dhe më të dishë,përveç atij”, ka deklaruar Rashiq.
Ai ka thënë se, përveç kompetencës, në përzgjedhjen e stafit të kabinetit ka marrë parasysh edhe besimin dhe lojalitetin e bashkëpunëtorëve.
“Gjithashtu, në rrethanat që kemi pasur vitet e kaluara, besimi tek bashkëpunëtorët dhe lojaliteti është referencë kryesore tek unë”, ka thënë ministri.
Rashiq ka shtuar se emërimi i stafit të kabinetit është kompetencë e ministrit dhe se, sipas tij, është normale që në kabinet të ketë njerëz të cilëve u beson.
“Ministri e emëron stafin e kabinetit dhe është normale me pas njerëz më të besueshëm që është e mundur”, ka deklaruar ai.







