Lokacioni i saj është brenda ish-fabrikës për prodhimin e municioneve në Prekaz.
E për 20 vjet, shërbeu si shtëpi afariste.
Por, në fillim të vitit 1998, brenda saj u hartua njëri nga planet më famëkeqe të ish-regjimit serb.
Bëhet fjalë për sulmin ndaj lagjes Jashari me 5 mars të po atij viti.
E 28 vjet pas kësaj masakre, Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftoi se ka ngritur aktakuzë për këtë rast.
Kjo u bë e ditur të premten, në një konferencë për media.
DEK: BLERIM ISUFAJ, KRYEPROKUROR I PROKURORISË SPECIALE
“Sot, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt”, deklaroi Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisw Speciale.
E prokurori i rastit, Valdet Gashi, tregoi se sa ish-policë e ushtarë serbë u identifikuan në këtë rast.
“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe”, theksoi Valdet Gashi.
Në këtë konferencë, u bë i ditur edhe emri i personit i cili e zbatoi planin e shtetit serb, në sulmin ndaj lagjes Jashari.
“Këtë nuk desha ta them më herët, sepse thashë do ta lexojmë në aktakuzë, por po e bëj publike që këtë Njësi për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili, atë që thashë më herët, e ka pasur për obligim dhe për detyrë, me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur në terren”, shprehet Valdet Gashi.
Gjatë tri ditëve të luftimeve, forcat serbe vranë 56 anëtarë të familjes së gjerë Jashari, në mesin e tyre edhe vet komandantin legjendar, Adem Jashari.
Por, në këtë konferencë, u bë e ditur se aktakuza ka të bëj vetëm për vrasjen e 26 civilëve.






