Ndryshim-plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, sipas Bashkimit Evropian, bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, një zëdhënës deklaroi se Kosova duhet t’u përmbahet detyrimeve të saj.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, sipas BE-së, Specialja po vendos drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale, por edhe që Kosova të mbajë përgjegjësi të përbashkët.
“Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, nënvizoi zëdhënësi.






