Ndeshja ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi përmbylljen simbolike të ditës festive me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, që u organizua sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Pas një përballjeje të baraspeshuar dhe me rivalitet sportiv, fituesi u përcaktua përmes gjuajtjeve të penalltive, ku më të saktë u treguan veteranët e Kosovës.Në përfundim të ndeshjes, trofeu simbolik iu dorëzua kapitenit të veteranëve të Kosovës, Hysni Gjinovci, nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Kjo ndeshje kishte një domethënie të veçantë, pasi në radhët e veteranëve të Kosovës ishin edhe shumë futbollistë të gjeneratës së sakrificës, ata që, për afro një dekadë gjatë kohës së okupimit, zhvilluan aktivitetin futbollistik jashtë stadiumeve, duke ruajtur gjallë frymën e futbollit dhe duke kontribuar me përkushtim e guxim në rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA.






