19.6 C
New York
Friday, November 6, 2026

Buy now

Ndërpritet Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt, VV-ja s’pranon të kërkohen dëshmi nga Zyra e Kurtit

- Advertisement -

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, Burim Ramadani, ka ndërprerë mbledhjen e sotme, pasi Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve prej të cilave do të kërkoheshin dokumente dhe dëshmi.

Ramadani ka bërë të ditur se, pavarësisht pauzës pesëminutëshe që kishte dhënë me shpresën se përfaqësuesit e VV-së do ta ndryshonin qëndrimin, ata vazhduan të kundërshtonin përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në këtë proces.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se, përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim që mbledhja të vazhdonte.

“Sot, gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor, VV u barrikadua kundër përfshirjes së Zyrës së Kryeministrit (ZKM) si një prej adresave ku Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi. Pra, VV nuk lejoi që Zyra e Kryeministrit të përfshihej në listën e institucioneve prej të cilave Komisioni do të kërkonte dokumente dhe dëshmi. Kur e kuptova bllokadën, u dhashë 5 minuta pauzë me shpresën se do të ndryshonin qëndrimin, por kjo nuk ndodhi. Pas pauzës, pavarësisht se ekzistuan të gjitha argumentet e qëndrueshme që ZKM duhet të përfshihet si institucion ku Komisioni Hetimor kërkon dokumente dhe dëshmi, VV mbeti e barrikaduar kundër. Për këtë arsye, e ndërpreva mbledhjen. Përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim të vazhdohej mbledhja. Mbledhja e radhës do të mbahet të hënën. E lus Lëvizjen Vetëvendosje të reflektojë e të mos bllokojë”, ka shkruar Ramadani.

Të ngjashme

Të fundit