Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, deklaroi të enjten përmes një postimi në X se dy nga shtetet e rajonit po zhvillojnë luftë hibride ndaj vendit të vet.
Ndonëse i njëjti nuk përmendi me emër se cilat janë këto vende, ishte media e Malit të Zi “Vijesti” ajo që raportoi se janë Shqipëria dhe Serbia dy vendet të cilave kryeministri malazez Spajiq iu referua në postimin e tij në “X”.
Megjithatë, Shqipëria ka mohuar çfarëdolloj përfshirjeje në këtë akuzë.
Opinionisti Mentor Nazarko, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, tha se reagimi i Tiranës zyrtare ishte i domosdoshëm.
“Sqarimi ishte i domosdoshëm, ishte shumë etik dhe shumë diplomatik, dhe mesazhet ishin të nënkuptuara. Ajo çka mendoj që ka rënduar, por në këtë deklarim nuk kishte aluzione, kishte asociim, ishte fakti që zoti Spajiq, në mënyrë të çuditshme, e përfshinte Shqipërinë bashkë me Serbinë, dhe fliste për përpjekje të koordinuara, o mes këtyre dy shteteve ose nëpërmjet ndonjërit prej shteteve dhe politikanëve të caktuar në politikën e Malit të Zi. Mendoj që ishte e pakuptimshme. Shqipëria nuk ka kurrfarë agjende të përbashkët me Serbinë në dëm të ndonjë shteti në rajon, kjo është e sigurt, është absolute”, deklaroi Nazarko.
Spajiq, nga ana e tij, shkroi në X gjatë ditës së sotme se kanë informacione “serioze operative të sigurisë” se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave “do të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara, në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve nga rajoni”.
“Sipas informacioneve tona, aktivitete të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të disa aktorëve politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”.
“Ne i dimë këto synime dhe jemi të vetëdijshëm për qëllimin e tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do ta ndalojnë rrugëtimin evropian të Malit të Zi, i cili është më i madh se interesi i përditshëm i cilësdo strukturë politike”, u shpreh Spajiq.






