NATO ka publikuar raportin vjetor për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke vënë theksin te roli i vazhdueshëm i Aleancës në Kosovë. Raporti nënvizon se prania e NATO-s mbetet një element kryesor për ruajtjen e stabilitetit rajonal, veçanërisht përmes misionit të saj KFOR-it.
“Prania e NATO në Kosovë vazhdon të mbetet thelbësore për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në raport.
Në raport theksohet se ‘që nga vendosja e tij, KFOR-i ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes’.
Gjatë vitit 2025, raporti evidenton sfidat e vazhdueshme në një mjedis të ndjeshëm të sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës.
“KFOR-i vazhdoi të përmbushë mandatin e tij në një mjedis të ndjeshëm të sigurisë, i karakterizuar nga tensione të larta, veçanërisht në veri të Kosovës dhe në një kontekst strategjik në zhvillim”, thuhet në raport.
Forcat e NATO-s kanë qëndruar të angazhuara për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të ruajtur stabilitetin, duke bashkëpunuar me institucionet vendore dhe organizata ndërkombëtare.
“Forcat e NATO-s mbetën të angazhuara në terren për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të ruajtur stabilitetin, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe me organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet tutje.
Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e koordinimit me Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
“Në këtë kuadër, NATO vazhdon të punojë në koordinim me Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, si dhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë”, thuhet në raport.
Një fokus i veçantë është dhënë mbështetjes për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili konsiderohet thelbësor për paqe të qëndrueshme.
“NATO mbështet fuqishëm përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar dialogun e lehtësuar nga BE-ja si thelbësor për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjate në rajon”, thekson ndër të tjera raporti.






