Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj Vjosa Osmanit dhe disa eksponentëve të VV-së, të cilët vazhdimisht po e përmendin emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në profilin e saj në Facebook, jo ka shkruar se emri i ish-presidentit po përmendet për qëllime politike.
“Në këtë fazë kritike të përballjes së Hashim Thaçit me drejtësinë në Hagë, VV-ja, eksponentë të saj dhe edhe zëra nga LDK-ja, përfshirë Vjosa Osmanin, po e nxjerrin sërish në skenë emrin e Hashim Thaçit. Çfarë cinizmi politik! Kur një njeri përballet me një proces gjyqësor ndërkombëtar për Kosovën dhe vendi duhet të tregojë seriozitet, maturi dhe dinjitet, këta zgjedhin ta përdorin emrin e tij si armë të luftës së tyre politike”, ka shkruar ajo, duke treguar pse po përmendet emri i Thaçit.
“Hashim Thaçi nuk është më në Prishtinë që të mund t’u përgjigjet sulmeve politike. Ai është në Hagë, duke u përballur me një proces të rëndë për Kosovën, dhe pikërisht tani disa politikanë po kujtohen të merren me të. Ky veprim nuk është guxim politik. Është frikë politike dhe mungesë lidershipi. Është qyqarllëk. Për vite me radhë e kanë përdorur Thaçin si gogol për të mbledhur vota. Sot, kur ai ndodhet në Hagë, vazhdojnë ta përdorin emrin e tij për të mbuluar dështimet, paaftësinë dhe krizën e tyre politike. Por ta kenë të qartë: Hashim Thaçi nuk mund të jetë mburoja e përhershme e dështimeve të tyre”, ka shkruar ai.






