Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke kritikuar mënyrën e trajtimit të figurave politike dhe vendimet për listat zgjedhore. Mushkolaj ka reaguar ndaj përfshirjes së sërishme të ish-nënkryetarit te Agim Veliut në listat e partisë, duke e cilësuar situatën si kontradiktore dhe të paqëndrueshme.
Mushkolaj ka kritikuar edhe qasjen e partisë ndaj elektoratit në Llap, duke thënë se LDK ka humbur ndikim në këtë zonë.
“LDK-ja e ka humbur Llapin se nuk e ka pasur Agim Veliun,” ka deklaruar ai.
“Shumë mirë që e ka refuzuar. Absolutisht është bërë hajgare me figurën e tij,” është shprehur ai, duke iu referuar mënyrës së trajtimit të Veliut brenda partisë.
Ai ka theksuar se, sipas tij, edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur tentativa për kandidim, por vendimet nuk janë finalizuar, duke shtuar se “as atëherë e as tash nuk është bërë asgjë pa dijeninë e Lumir Abdixhikut”, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, ndryshimet e shpeshta në qëndrime për përfshirjen e Veliut në listë përbëjnë një qasje të paqëndrueshme politike.
“Është lojë e papërgjegjshme kur njëherë refuzohet e pastaj futet në listë,” ka shtuar Mushkolaj.
Ai ka kërkuar gjithashtu që LDK të sqarojë para elektoratit konceptin e “Rrugës së Re”, duke vënë në pikëpyetje nëse përjashtimi i mëhershëm i Veliut dhe rikthimi i tij përbëjnë kontradikta në këtë strategji politike.






