10.9 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Mungesa e Ligjit për Sigurime e listat e gjata të pritjes – Dështimet e radhës nga MSh-ja

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë adresuar kritika në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë për rritje të çmimeve të barnave nga lista esenciale, teksa kritikojnë edhe furnizimin me barna nga lista esenciale.

Nga PDK e AAK thonë se mungesa e Ligjit për Sigurime Shëndetësore e listat e gjata të pritjes, janë dështimet e radhës të kësaj qeverisje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se përjashtim të disa klinikave, furnizimi me barna esenciale është i mangët. Furnizimin kohëve të fundit, Haxhiu e ndërlidh për shkak të vitit zgjedhor.

“Procesi i miratimit të listës së çmimeve të produkteve medicinale, tashmë është e dështuar nga Ministria, ndonëse është miratuar ligji edhe është premtuar që do të ketë ulje të çmimeve të barnave. Ju e keni parë që lista që është publikuar nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë në rritje të çmimeve të barnave prej 100 për qind deri në 3000 për qind, ndërsa sa i përket furnizimit me barna na lista esenciale e cila është një proces krejt tjetër aktualisht furnizimi është për tërë barnat në kuadër sektorit të shëndetësisë është 72 për qind. Mund të ketë ndonjë klinikë e cila mund të ketë ndonjë furnizim më të mirë, mirëpo klinikat e tjera është me dobët. Po shohim që ka pasur përpjekje në këtë vit zgjedhor të ketë disa improvizime me disa investime nëpër fasada ose rasti siç është i Klinikës së Gjinekologjisë ku janë rinovuar vetëm dy tri reparte ndërsa të tjerat ku trajtohen pacientët janë me nga tetë, nëntë shtretër dhe nuk ka asnjë investim”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së ka kritika edhe për listë të madhe të pritjes për operacione dhe mungesë të barnave, si gjilpëra e fashat. Haxhiu ka kritika edhe për kompaninë që ka përfituar tenderin për furnizim me barna esenciale.

“Situata dhe gjendja në Klinikën e Gjinekologjisë në katin e parë dhe të tjerat nuk është investuar dhe situata në shëndetësinë tonë është jo e mirë. Ka lista të pritjeve për operacione mungesë të barnave deri në mungesat edhe për gjilpëra dhe fasha, pra mungesat edhe të përditshme ku pacientët detyrohet që barnat që mungojnë t’i blejnë vet. Lista esenciale e përpiluar është për tu diskutuar shumë sepse ka barna të cilat janë larguar dhe janë futur barna të cilat as që kanë qenë në përdorim. Përfitues më i madh i këtij kontraktimi na del të jetë një kompani e cila ka fituar në shumë se 20 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë. Po e njëjta kompani ka fituar edhe miliona të tjera përmes kontratave një burimore dhe çka që një ish-anëtar i komisionit për listën esenciale të barnave të jetë aq e varur për këtë kompani. Kjo ka lind shumë dyshime për këtë kompani për manipulimin me listën esenciale të barnave për interesa të caktuara edhe për përfitimet e bizneseve të caktuara”, u shpreh Haxhiu, teksa punën e ministrit Vitia e quan dështim total. Ka thënë se ka dështuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore e në ulje të listës së pritjes për operacione.

“Në vazhdimësi kemi pasur rritje të buxhetit për barna kurse mungesat kanë vazhduat që të jenë të njëjta dhe këtu kanë përfituar grupe të caktuara të interesit të lidhur me ministrinë e Shëndetësisë, besoj që kjo çështje është për hetim dhe jo që ta komentojmë ne, sepse e kemi komentuar dhe diskutuar disa herë këtë problem. Puna e Arben Vitisë është dështim total qoftë në aspektin menaxherial qoftë në aspektin e miratimit të ligjeve. Jemi në fund të mandatit të këtij qeverie nuk ka strategji dhe ligj për shëndetësi, nuk ka ligj për sigurimet shëndetësore dështim me listën e çmimeve të barnave të produkteve medicinale, dështim në menaxhim dhe në ulje të listave të pritjes për operacione”, ka thënë Haxhiu.

Kritika për gjendjen në shëndetësi ka edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj. Ai për Ekonomia Online ka thënë se shëndetësia në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më keq.

“Realisht shëndetësia nuk ka qenë kurrë më keq sesa që ka qenë tani, si në aspektin e funksionimit, organizmit është e vërtetë që janë duke u bërë disa investime më tepër paliative në qëllim që të rregullohen para opinionit që kemi bërë diçka, është e vërtetë që kohëve të fundit ka filluar që të bëhen disa investime si në institutin e Onkologjisë dhe në Klinikën e Urologjisë por këto dyja janë investime minore. Pra investimet kapitale ju e dini që vitin e kaluar kanë qenë në minimum. Sot mund të themi që kemi hyrë në kampanjën zgjedhore dhe tani është duke u bërë ajo që nuk është bërë që katër vite. Jemi munduar që të bëjnë atë që nuk e kanë bërë që katër vite pra duhet të jemi duke provuar që të grumbullohet veprimet që kanë dashur që të harrohen që janë kryer”, ka thënë Dreshaj.

Deputeti i AAK-së ka thënë se për tu përmirësuar shëndetësia në vend, duhet të ketë investime, andaj vlerëson se këtu ka ngecje. Dreshaj ka thënë se ka vonesa edhe sa i përket Ligjit për Sigurime Shëndetësore, për të cilat ka thënë se do të ketë vonesa edhe në implementohet brenda këtij mandati.

“Shëndetësia nuk është mirë, ka nevojë për përmirësime dhe ka nevojë për investime, kjo Qeveri është marr me ligje sektoriale, pra me ligje të imëta, nuk është marrë me ligje bazike siç është Ligji për Shëndetësinë, Sigurimet shëndetësore, të cilat ne ende nuk i kemi parë as në leximin e parë e të mos flasim edhe për grupet parlamentare që do të intervenojnë dhe do të punojnë për të, e mos të flasim për leximin e dytë. Sigurimet Shëndetësore, sot nëse aprovohet dhe fillon implementimi pas katër vitesh qytetari do ta sheh efektin e tyre. Çdo gjë është duke u bërë është duke u bërë në minutën e fundit dhe me vonesë me improvizime, nuk i ka hije kësaj Qeverie”, u shpreh Dreshaj.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit