Analisti politik Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për, siç pretendon ai, bllokim të funksionimit institucional të vendit dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Në një postim, Muharremi ka deklaruar se Kurti “e ka humbur kontrollin” dhe se është “e zeza më e madhe e vendit”, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, po zhvillohet procesi i konstituimit të Kuvendit.
“Nuk mundet me qenë një person në rregull kur, pa ndonjë arsye racionale, e suspendon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Këtë po e bën aktualisht Albin Kurti”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka kritikuar Kurtin edhe për krizat e mëparshme politike dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërsa pretendon se qeverisja e tij është shoqëruar me “dhjetëra dhunime e shkelje të Kushtetutës”.
Muharremi ka hedhur akuza edhe për politikat ekonomike dhe energjetike të Qeverisë, duke pretenduar se Kurti “po i sulmon bizneset private”, “po e shkatërron ekonominë” dhe se mungesa e investimeve në energji, sipas tij, rrezikon sigurinë kombëtare.
Analisti ka kritikuar gjithashtu politikën e jashtme të Qeverisë, duke e akuzuar Kurtin për përkeqësim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
“Po na izolon e po i prish marrëdhëniet me SHBA-në e BE-në. Po e izolon e varfëron Kosovën. Po e zbraz nga rinia”, ka deklaruar Muharremi.
Ai ka vënë në pikëpyetje edhe aftësinë e Kurtit për të vazhduar drejtimin e vendit, duke thënë se një person që, sipas tij, “suspendon demokracinë dhe paralizon shtetin e tij” nuk është më në gjendje të udhëheqë Kosovën.
Në pjesën tjetër të reagimit, Muharremi ka kritikuar edhe masat e sigurisë rreth kryeministrit, duke pretenduar se Kurti shoqërohet nga një numër i madh truprojash gjatë paraqitjeve publike.
Në fund, analisti politik ka kërkuar largimin e Kurtit nga drejtimi i vendit.
“Nuk ka më kurgjo nga ky person. Sa më parë të largohet, Kosova do të frymojë më mirë. Koha e tij ka përfunduar”, ka shkruar Muharremi.






