MSH: 171 profesionistë shëndetësorë janë kthyer për të punuar në Kosovë

- Advertisement -

Gjatë vitit 2025, gjithsej 171 profesionistë shëndetësorë shqiptarë janë licencuar për të punuar në Kosovë, kryesisht nga Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare.

Kështu ka bërë të ditur Durim Elshani, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke iu referuar të dhënave të Bordit për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë.

Prej tyre, 12 janë profesionistë shëndetësorë me nënshtetësi të Kosovës, të cilët pas përfundimit të specializimeve në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në vend.

Ndërkaq, 159 të tjerë janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me dy nënshtetësi, të cilët janë pajisur me licenca për të ushtruar profesionin në Kosovë.

Elshani ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, gjatë vitit 2025 gjithsej 95 profesionistë shëndetësorë kanë kërkuar dokumentet e nevojshme për të aplikuar për punë në vendet evropiane. Ky është numri më i ulët ndër vite.

Për krahasim, në vitin 2022, këto dokumente i kishin kërkuar 211 profesionistë shëndetësorë.

Ai ka theksuar se kërkimi i dokumenteve për aplikim jashtë vendit nuk nënkupton domosdoshmërisht se profesionistët janë pajisur me licenca në shtetet evropiane apo se janë larguar nga Kosova.

Sipas tij, ka edhe raste kur profesionistët kanë marrë pushim pa pagesë, kanë punuar për një periudhë të shkurtër në vendet evropiane dhe më pas janë kthyer për të vazhduar punën në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit