16.1 C
New York
Sunday, May 19, 2024

Buy now

Motra e Ukshin Hotit: Po neglizhohet çështja e tij edhe nga shoqëria, edhe nga qeveria, edhe çdokund

- Advertisement -

Myrvete Hoti Kasumi, motra e veprimtarit të shquar kombëtar, Ukshin Hotit, ka rrëfyer për Klan Kosovën disa gjëra të pathëna për vëllanë e tij, por njashtu ka treguar edhe për dhimbjen e saj të madhe për vëllanë e zhdukur, çështja e të cilit, sipas saj, po neglizhohet nga të gjithë.

Ajo dha rrëfimin e saj teksa i prezantonte disa nga rrobat e Hotit, të cilat kishte vendosur t’i japë për t’u ekspozuar.

“Këto [rroba] ma përkujtojnë jetën e tij, veprimtarinë e tij, mjekitë e tij, që i ka përjetu gjatë tanë kohës, prej vitit ‘81 e deri më tash që është i zhdukur, ai dritën me sy s’e ka pa kurrë”, ka thënë Hoti-Kasumi për Info Magazine të Klan Kosovës.

“Gjithmonë ka qenë i përvuajtur, i përndjekur, i persekutuar, i maltretuar prej palës serbe, ka qenë i izoluar në Krushë të Madhe prej ’81-shit e tutje, kështu që jeta e tij ishte ferr.

“E këto ma kujtojnë Ukshinin në atë kohë, teshat e tij këtu janë kur ka dalë në‘81-ën nga burgu, kam edhe rroba të tjera, mirëpo kjo shtëpia nuk është zyrtarizuar ende s’i dihet, edhe s’po guxoj me i pru për shkak se i kam ruajtur me xhelozi deri më tani”.

“M’i kanë lyp me i ekspozu këtu, i kam pru dhe kam ardhur shpesh me i vizitu a janë këtu apo mos i ka marrë dikush, se çdo gjë të tij e ruaj me xhelozi shumë të madhe, edhe me fanatizëm”.

Hoti-Kasumi thotë ta ketë pasur mbështetje të madhe vëllanë e saj, rasti i të cilit, sipas saj, po neglizhohet edhe nga shoqëria por edhe nga krerët politikë.

“Atë e kam pasur mbështetje shumë të madhe, ideolog. Çdo problem që e kemi pasur e kemi ndarë bashkë. Kur vinte te unë, rrinim deri në ora 4 të mëngjesit zgjuar, duke i diskutuar problemet mes vete pse kjo kështu, vazhdimisht diskutonim edhe më mungoi shumë, edhe sot e hala mërzitem për të e nuk muj me e paramendu që Ukshin Hoti që 23 vjet me qenë ende i zhdukun, meqë çështja e tij edhe sa ishte në burg edhe tash sa është i zhdukur është e ndërkombëtarizuar”.

“Edhe te faktori ndërkombëtar edhe shqiptarët, edhe te serbët kam shkruar letër, s’kam lanë gurë pa lëvizur deri sot, por përpjekjet e mia kanë qenë të kota, dhe s’kom pasë përkrahje askund deri tash”.

“Disi ndaj Ukshin Hotit po neglizhohet çështja e tij, po neglizhohet edhe në shoqëri, edhe në qeveri, edhe çdokund”.

Motra e Hotit foli edhe për preferencat dhe gjërat që i bënte ai në kohën e lirë, siç ishte leximi e shëtitja në natyrë.

“Natyrën e ka dashtë shumë, edhe kohën e lirë që e ka pasur e ka kaluar në natyrë edhe dimrit edhe verës, edhe në Breg të Drinit, në Krushë të Madhe bashkë me disa bashkëfshatarët e vet i kanë çu për shembull një ditë për relaks për vete”.

“Është gjendur, kudo që ka qenë është gjendur se ai ka qenë vetvetja dhe ka kriju aty për aty atmosferë”.

Ajo po ashtu i përmendi dy bibliotekat e Hotit të cilat forcat serbe i kishin djegur. Njëra bibliotekë kishte qenë me autorë shqiptarë ndërkaq tjetra me ata ndërkombëtare.

Ajo tha se Hoti kishte dashur që motra e tij të ngrihej intelektualisht dhe të përparonte, dhe këshilla që ia kishte dhënë ishte që ajo të mbahej e fortë dhe të mos jepej kur ndiente mërzi.

“Ka pasë qef me u ngrit unë intelektualisht shumë, mirëpo kur shkoja nëpër vizita, një rast më kujtohet se kanë qenë vizita gjithmonë të tendosura edhe kur ndaheshim mes vete, ai shkonte kah ana e burgut, e unë dilja nga jashtë dhe e shikoja derisa humbte nga pamja, dhe më ka vërejtur e një rast edhe ma tërhoqi vërejtjen: ‘Mos të shoh kurrë ma, nuk du me të pa këta ty që po mërzitesh, po du me qenë krenare edhe e fortë’. Kjo është këshilla ime prej tij”.

“Mundohem boll por kot, se nuk më hiqet prej shpirti se kam kujtime shumë të mëdha për të”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit