Miss Bota e re është mësuese: I solli vendit fitoren pas 44 vitesh, ndërsa fustani i pazakontë bëri bujë

- Advertisement -
Joheirry Mola Dominguez nga Republika Dominikane triumfoi në Vietnam, ndërsa një veshje që simbolizonte shtresat e trupit gjatë lindjes me prerje cezariane tërhoqi vëmendjen e gjithë botës.

Finalja e madhe e edicionit të 73-të të Miss World u zhvillua më 5 shtator në Nha Trang të Vietnamit, ku kurorën e Miss World 2026 e fitoi Joheirry Mola Dominguez nga Republika Dominikane. Në garën mes 111 përfaqësueseve, 24-vjeçarja arriti të triumfojë përpara Elisabeth Reynés nga Spanja, e cila u shpall zëvendësuesja e parë, dhe Taanusiya Chetty nga Malajzia, që zuri vendin e dytë.

Fitorja ka rëndësi të veçantë për Republikën Dominikane, pasi Mola Dominguez u bë vetëm gruaja e dytë nga ky vend që fiton kurorën e Miss World, 44 vjet pas Mariasela Álvarez, e cila triumfoi në vitin 1982.

Pas kurorës së re fshihet një histori që lidhet më shumë me arsimin dhe angazhimin shoqëror sesa me botën e spektaklit. Mola Dominguez ka diplomë në menaxhim dhe administrim biznesi, punon si mësuese e letërsisë dhe shkencave shoqërore në gjuhën angleze dhe është gjithashtu korrespondente për Univision New York.

Projekti i saj kryesor social është “Voices of Tomorrow”, përmes të cilit synon të zgjerojë mësimin e gjuhës angleze për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet në nevojë. Kjo nismë ishte pjesë e platformës “Beauty With a Purpose”, një nga shtyllat kryesore të Miss World.

Motoja e saj personale është: “Dhurata më e madhe që mund t’i ofrosh dikujt është t’i japësh mundësinë që dikur të duhej edhe ty, për t’u rritur, për të ecur përpara dhe për ta ndryshuar jetën”, transmeton Telegrafi.

Në fron, ajo pasoi Opal Suchata Chuangsri nga Tajlanda, e cila në vitin 2025 u bë gruaja e parë tajlandeze që fitoi titullin Miss World. Gjatë mandatit të saj, Chuangsri u angazhua veçanërisht në ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, e frymëzuar nga përvoja e saj shëndetësore në adoleshencë.

Një nga momentet më të veçanta të edicionit ishte paraqitja e përfaqësueses së Ugandës, Elle Muhoza.

Ajo u shfaq me një krijim të dizajneres Keesha Abdallah, të titulluar “The Layers of Life”. Fustani simbolizonte shtatë shtresat anatomike nëpër të cilat kalojnë mjekët gjatë një lindjeje me prerje cezariane: lëkurën, indin dhjamor, fashën, muskujt e drejtë të barkut, peritoneumin, muskulin e mitrës dhe qesen amniotike.

Dizajni përdorte pëlhura në të bardhë, të verdhë, rozë dhe të kuqe për të paraqitur në mënyrë simbolike shtresat e ndryshme të trupit. Sipas Abdallah, ideja u frymëzua nga vetë procesi i lindjes dhe nga udhëtimi i jashtëzakonshëm i sjelljes së një jete të re në botë.

Edicioni i vitit 2026 shënoi gjithashtu 75-vjetorin e organizatës Miss World. Në fund, kurora shkoi te një mësuese dhe aktiviste që e ka ndërtuar profilin e saj rreth arsimit dhe mundësive për të rinjtë – duke i dhënë Republikës Dominikane një tjetër moment historik në historinë e konkursit. /Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit