Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, të mbajtur në Zarë të Kroacisë.
Me këtë rast, ministri Maqedonci ishte folës në panelin “Siguria evropiane në mjedisin e ri gjeopolitik”.
Në margjinat e konferencës, Maqedonci dhe Anushiq riafirmuan përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
“Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci, me synimin që ky bashkëpunim të jetë i hapur edhe për vendet e tjera të rajonit që ndajnë vlerat dhe interesat e përbashkëta.
Të dy ministrat u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, trajnimet, shkëmbimin e informacionit, si dhe koordinimin për përballjen me kërcënimet hibride.
Gjatë panelit, ministri Maqedonci theksoi kërcënimet që burojnë nga qasja hegjemoniste e Serbisë ndaj fqinjëve të saj, si dhe hapat që po ndërmerr Kosova për ndërtimin e një sistemi mbrojtës gjithëpërfshirës, me angazhimin e institucioneve dhe qytetarëve.Po ashtu, ai vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.
Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kontribuon në avancimin e sigurisë dhe të kapaciteteve mbrojtëse në rajon”, thuhet në njoftim.






