Merr fund pritja, miratohet zyrtarisht projekti për stadiumin e ri të AS Roma

- Advertisement -

Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri të Romës në zonën e Pietralatas ka marrë miratimin zyrtar, pasi “Conferenza dei Servizi” i dha këtë të hënë dritën jeshile fizibilitetit teknik dhe ekonomik.

Sipas raportimeve nga “La Gazzetta dello Sport”, vendimi u zyrtarizua rreth orës 13:15, kur komisioneri Massimo Sessa lexoi pesë pikat e miratimit në Këshillin e Lartë të Punëve Publike.

Në takim ishin të pranishëm presidenti i rajonit, Francesco Rocca, dhe kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, ndërsa ministri i Sportit, Andrea Abodi, mori pjesë përmes lidhjes online.

Kryebashkiaku Gualtieri u shpreh i prerë se tashmë nuk ka më asnjë dilemë rreth realizimit të arenës moderne.

“Në këtë pikë, stadiumi i Romës është një siguri dhe do të ndërtohet», deklaroi ai. «Ishte një përpjekje e madhe ekipore, thelbësore për t’i mundësuar Romës një strukturë strategjike dhe rigjenerimin e një pjese të qytetit. Falënderoj klubin e Romës dhe familjen Friedkin për dëshirën e tyre për të ndërtuar një nga stadiumet më të bukura në botë”, tha ai.

I pyetur për afatet konkrete, Gualtieri theksoi se guri themeltar mund të vendoset shumë shpejt.

Nga ana tjetër, ministri i Sportit, Andrea Abodi, vlerësoi shpejtësinë me të cilën u përmbyll procedura vetëm 90 ditë nga 270 sa ishin në dispozicion duke theksuar se Italia brenda pak ditësh do t’ia dorëzojë UEFA-s listën përfundimtare të stadiumeve për Euro 2032.

Ai kujtoi po ashtu ish-presidentët historikë të klubit, Dino Viola dhe Franco Sensi, përpjekjet e të cilëve në të kaluarën nuk kishin lehtësitë ligjore dhe administrative të ditëve të sotme.

Përfaqësuesi i Matteo Salvinit, Davide Bordoni, theksoi se synimi është që punimet kryesore të nisin në vitin 2027, pikërisht në 100-vjetorin e themelimit të klubit verdhekuq.

Hapi i radhës mbetet procesi i tenderimit, të cilin Bashkia e Romës dhe klubi janë zotuar ta përshpejtojnë së bashku.

Ndërkohë, u bë e ditur se përpjekje të ngjashme po bëhen paralelisht edhe për planet e Lazios rreth stadiumit të saj të ri.

Të ngjashme

Të fundit