Publicisti Kim Mehmeti ka komentuar mundësinë e një rikthimi të Izet Mexhitit në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke thënë se një zhvillim i tillë nuk do të ishte aspak i çuditshëm.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Mehmeti ka deklaruar se në politikë gjithçka është e mundshme, ndërsa sipas tij, më e habitshme është largimi i Mexhitit nga BDI dhe angazhimi i tij në koalicionin VLEN.
“Atje nuk është asgjë e pamundshme. Dukej e pamundur edhe që ata të ndaheshin nga njëri-tjetri”, ka deklaruar Mehmeti.
Ai ka vlerësuar se Mexhiti një pjesë të madhe të karrierës së tij politike ia detyron BDI-së, duke theksuar se në këtë parti është formuar politikisht dhe ka arritur pozitat që ka pasur.
“Çfarë ka më të natyrshme se të kthehesh aty ku ia ke borxh gjithë karrierën politike? Të flasim hapur, çdo gjë e arriti me emblemën e asaj partie”, është shprehur ai.
Mehmeti ka vënë në pikëpyetje edhe arsyet e angazhimit të Mexhitit në VLEN, duke theksuar se nuk sheh dallime të qarta mes tij dhe subjektit politik nga i cili është larguar.
“Më e çuditshme dhe më e palogjikshme është çfarë kërkon ai në VLEN? Çfarë e dallon atë nga BDI-ja, kur 30 vjet i kalove në BDI dhe përnjëherë u bëre i ndryshëm?”, ka thënë Mehmeti.
Në fund, publicisti ka theksuar se një rikthim i Mexhitit në BDI do t’i dukej si kthim në vendin ku është formuar politikisht.
“Unë kur e shoh Mexhitin në BDI, e shoh në shtëpinë e vet, aty ku është rritur dhe ku është bërë ky që është”, ka deklaruar Mehmeti.






