Kur Paneli i Apelit në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi për shtyrjen e afateve për njoftimin e apelimit, foli edhe për detaje rreth aktgjykimit të shkallës së parë.
Por, ky aktgjykim prej 2,089 faqesh nuk po del ende publik dhe Gjykata Speciale, ndonëse lajmërohet shpesh me video nga Haga, nuk ka njoftuar për ndonjë afat se kur mund të jetë i qasshëm dokumenti i plotë, shkruan VOX Kosova.
Publiku në Kosovë, por edhe mbrojtja, ka kërkuar që nga 16 shtatori 2026, që të publikohen faktet dhe provat, pasi ekziston bindje e thellë për një dënim mbi thashetheme, të pabazuar e politik.
Në shkresën e tyre të 29 shtatorit 2026, paneli i apelit kishte caktuar disa afate për përkthim e redaktim.
Ato tashëm kanë kaluar.
Nga ajo çka dihet është se më 7 tetor, tash e një muaj gati, është dashur të dorëzohet një version final me redaktimet e nevojshme.
“Përveç kësaj, Trupi Gjykues vëren se Trupi Gjykues i Shkallës së Parë gjithashtu urdhëroi ZPS-në që deri më 7 tetor 2026 të shpërndajë një version të propozuar të redaktuar të Aktgjykimit të Gjykimit dhe Palët dhe Pjesëmarrësit që të zhvillojnë diskutime lidhur me redaktimet e propozuara deri më 19 tetor 2026”, thuhet në vendim”, thuhej në shkresën e tyre.
Specialja prej fillimit të gjykimit, faza paraprake dhe dëgjimi i dëshmitarëve, ishte kritikuar vazhdueshëm për një mbyllje të theksuar, me seanca të mbyllura, dokumente të redaktuara e refuzim për llogari para institucioneve të Kosovës dhe publikut.
Kur më 29 shtator ishte publikuar shkresa rreth këtyre detajeve, ishte bërë e dituri se Trupi Gjykues i Apelit e ka konsideruar të përshtatshme ta udhëzojë Zyrën e Regjistrimit që, brenda 10 ditësh nga marrja e vendimit për shtyrjen e afatit, të raportojë lidhur me përkthimin e Aktgjykimit të Gjykimit në gjuhën shqipe. Si dhe, të paraqesë datat e pritshme se kur përkthimi paraprak, i pa rishikuar, dhe përkthimi zyrtar përfundimtar i Aktgjykimit të Gjykimit do të jenë në dispozicion.
Paneli përbëhet nga gjyqtarja Michèle Picard, gjyqtari Kai Ambos dhe gjyqtarja Nina Jørgensen.
Ky trup gjyqtarësh i kishte dhënë kohë deri më 27 nëntor mbrojtjes që të paraqes njoftimin për apelim.
Por, deri atëherë, një tjetër aktgjykim për Hashim Thaçin do të shpallet nga Haga.
Më 17 nëntor, do të shpallët aktgjykimi në rastin “12”, aty ku ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për pengim të drejtësisë.
Prokuroria e Specializuar në këtë rast ka kërkuar që Thaçit t’i mos numërohet koha e kaluar në paraburgim, pasi që sipas tyre, e njëjta mund të zbritet vetëm nga dënimi prej 25 vjetësh i dhënë ndaj ish-Presidentit në rastin “06” për krime lufte.
Për Hashim Thaçin, në çështjen 12, Prokuroria e Speciales ka kërkuar gjashtë vjet burg.
Në një skenar çfarë po kërkon ZPS, të mos llogaritet koha e kaluar në paraburgim, bashkë me dënimin në çështjen “06”, dënimi total ndaj Thaçit në Speciale do të shkonte në 31 vjet burg. Kjo pasi që Prokuroria kërkoi gjashtë vjet dënim për ish-Presidentin në çështjen 12.
Për të akuzuarit tjerë, Bashkim Smakajn ka kërkuar tre vjet burg, Isni Kilajn tre vjet, Fadil Fazliun tre vjet dhe Hajredin Kuçin nëntë muaj






