Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar 356 mijë e 880 euro nga buxheti i shtetit për udhëtime zyrtare, konferenca, trajnime, bileta udhëtimi, reprezentacion, telefon dhe karburant, nga janari i vitit 2025 deri në shtator të vitit 2026.
Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Shneta përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve e ka bërë administrata e Ministrisë, me 312 mijë e 67 euro, ndërsa kabineti i ministrit Arben Vitia ka shpenzuar 44 mijë e 813 euro.
Vetëm gjatë vitit 2025, shpenzimet e Ministrisë arritën në 255 mijë e 846 euro. Prej tyre, 231 mijë e 664 euro i takojnë administratës, ndërsa 24 mijë e 182 euro kabinetit të ministrit.
Shpenzimi më i madh i administratës gjatë këtij viti ishte për vizita zyrtare, përfaqësime, konferenca dhe kongrese, për të cilat u ndanë 107 mijë e 264 euro.
Megjithatë, raportet nuk specifikojnë se cilët zyrtarë kanë udhëtuar, cilat vende kanë vizituar apo për cilat konferenca dhe kongrese janë paguar këto mjete.
Një nga dallimet në raportet e shpenzimeve është ai për karburant.
Kabineti i ministrit Arben Vitia shpenzoi 8 mijë e 558 euro për karburant gjatë vitit 2025, më shumë se administrata e Ministrisë, e cila për të njëjtën kategori shpenzoi 7 mijë e 309 euro.
Ndërkaq, në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, kabineti shpenzoi edhe 7 mijë e 5 euro për karburant.
Shpenzimet e kabinetit për udhëtime zyrtare jashtë vendit, së bashku me trajnimet, arritën në 3 mijë e 944 euro deri në shtator të vitit 2026, duke tejkaluar shumën e raportuar për të gjithë vitin 2025.
Të dhënat tregojnë se shpenzimet e administratës për vizita zyrtare, konferenca dhe kongrese ishin më të ulëta gjatë vitit 2026.
Nga janari deri më 23 shtator, për këto kategori u shpenzuan 25 mijë e 678 euro, krahasuar me 107 mijë e 264 euro gjatë vitit 2025.
Ndërkohë, Inspektorati ka shpenzuar 15 mijë e 611 euro për trajnime gjatë vitit 2026, pas 29 mijë e 933 eurove të shpenzuara në vitin paraprak. Në total, shpenzimet për trajnimet e Inspektoratit gjatë kësaj periudhe arritën në 45 mijë e 545 euro.
Sipas dokumenteve të Ministrisë, shpenzimet për udhëtime zyrtare janë bërë në bazë të Rregullores së Qeverisë së Kosovës nr. 06/2023 për kompensimin e udhëtimeve zyrtare dhe shpenzimeve të përfaqësimit. Këto përfshijnë dietat, akomodimin dhe shpenzime të tjera të ndërlidhura me udhëtimet.
Të dhënat përfshijnë dy raporte të ndara të Ministrisë së Shëndetësisë, me periudha të ndryshme raportimi për disa kategori shpenzimesh.






