Njohësi i marrdhënieve ndërkombëtare Agon Maliqi, ka sqaruar se “gjuha e përgjithshme” e përdorur në letrën e urimit për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe një letër dërguar ditë më parë drejt presidentit të Serbisë Vuçiq, e ku nuk përmendet fare raporti ndërmjet Kosovës e Serbisë, ka të bëjë me atë se Administrata Trump, ende nuk i ka kryer të gjitha emrimet, dhe nuk ka mar pozicion specific në lidhje me çështje si këto.
Postimi i plotë:
Letrat e Presidentëve të SHBA për festa janë protokollare, por e kanë njëfarë peshe politike si formë e komunikimit të çështjeve kyçe në agjendë me shtetin respektiv. Ato shkruhen nga nivelet më të ulëta (Ambasada, niveli DAS dhe AS në Departamentin e Shtetit). Nga përmbajtja e letrave drejtuar Kosovës (dhe Serbisë para disa ditësh) shihet se administrata është në muajin e parë, akoma nuk i ka bërë emërimet kryesore për Evropë dhe as nuk ka qartësi mbi agjendën, prandaj edhe gjuha është shumë e përgjithshme, që të lë të kuptosh se ky është njëfarë interpretimi i burokratëve brenda sistemit se çka mund të thuhet në këtë moment teksa akoma nuk ka kurs politik të qartë. Për këtë arsye mungon edhe përmendja e zakonshme e normalizimit të marrëdhënieve dhe dialogut në letrat drejtuar qoftë Serbisë apo Kosovës sepse kushdo që e ka shkruar nuk e di se si administrata do t’i qaset çështjes. Por ajo që vërehet është një vazhdim i gjuhës që e veçon popullin e Kosovës prej qeverisë, që ka qenë e shpeshtë në administratën Biden. Gjithsesi në këtë moment nga kjo letër nuk duhet të lexohet ose interpretonet shumë. Mungesa e nënshkrimit në letrat drejtuar Kosovës e Serbisë (praktikë e zakonshme) tregon se këto letra me gjasë as që kanë mbërritur te Trump por janë dërguar thjesht për të mos krijuar huti diplomatike.