Macron zotohet se do të përshpejtojë dërgimin e raketave të reja në Ukrainë

- Advertisement -

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u zotua se do të përshpejtojë dërgimin e raketave të reja për pengimin e sulmeve ajrore në Ukrainë.

Këtë zotim ai e bëri pas sulmeve shkatërruese ruse ndaj një qyteti ukrainas dhe pas një bisede që zhvilloi me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Fola me presidentin Zelensky pas sulmit të dyfishtë rus në mes të ditës ndaj një qendre tregtare në Krivki Rih, i cili shkaktoi viktima të shumta në mesin e civilëve, dhe shpreha tmerrin dhe pikëllimin tonë të thellë”, shkroi Macron në X.

Macron tha se e siguroi Zelenskyn për “forcimin e mbështetjes sonë përmes dislokimit të raketave penguese… Është thelbësore që të gjitha vendet që kanë këto kapaciteti t’i bashkohen gjithashtu kësaj përpjekjeje. Ne po ashtu duhet të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë, për aq kohë sa ajo zgjedh të refuzojë armëpushimin dhe paqen”.

Në postimin e tij në X, Macron tha gjithashtu se aleatët e Ukrainës, që janë pjesë e një koalicioni që udhëhiqet nga Parisi dhe Londra, do të takohen më 24 gusht për të shqyrtuar mënyrat për të rritur presionin ndaj Moskës, me qëllim që ajo të ndalë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, i cili nisi në shkurt të vitit 2022 dhe që ka marrë jetën e dhjetëra mijëra njerëzve në dy shtetet.

Kryeministri britanik, Andy Burnham, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, pritet të jenë mikpritësit e takimit të koalicionit, i cili do të mbahet në Kiev dhe ku liderët do të marrin pjesë fizikisht dhe online.

Zyra e Macronit nuk specifikoi se cilët liderë do të jenë të pranishëm në Kiev.

Mbrojtja kundër raketave balistike

Pa dhënë detaje, Macron tha se dërgimi i përshpejtuar i raketave penguese është në përputhje me zotimet e bëra në korrik, në inicimin e Koalicionit të Integruar kundër Raketave Balistike.

Në atë takim në Paris, një grup prej dhjetë shtetesh evropiane u pajtuan që të zhvillojnë një sistem kundër raketave balistike, si alternativë më e lirë ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes ajrore, Patriot. Patriot është e vetmja armë që posedon Kievi dhe që është në gjendje të rrëzojë raketat balistike me shpejtësi të lartë, të cilat Rusia i përdor kundër qyteteve ukrainase.

Macron tha se Parisi do të përshpejtojë vendosjen e sistemit të ri SAMP/T në Ukrainë dhe do t’i japë Kievit licencë për prodhimin e raketave penguese, si dhe do të përshpejtojë dislokimin sistemin e raketës lundruese me rreze të gjatë SCALP dhe armëve të tjera.

Pas bisedës telefonike dyorëshe, Zelensky tha se ai dhe Macron diskutuan edhe për gjendjen e bisedimeve të paqes dhe kontaktet me SHBA-në. Përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Ne u pajtuam për hapat që mund të hapin mundësi shtesë diplomatike”, tha Zelensky.

Teksa të dy liderët po bisedonin, operacionet e kërkim-shpëtimit të Ukrainës vazhduan në vendin e sulmit shkatërrues me dronë rusë ndaj një qendre tregtare në qytetin ukrainas Krivji Rih, ndërsa Rusia vazhdon të kryejë sulme në të gjithë Ukrainën.

Dy dronë rusë goditën qendrën më të madhe tregtare në këtë qytet pasditen e 21 gushtit, kur shumë banorë po bënin pazar para nisjes së fundjavës.

Nga sulmi u vranë të paktën 16 persona dhe u plagosën më shumë se 130 të tjerë, përfshirë 23 fëmijë, disa prej të cilëve në gjendje kritike. Edhe katër persona rezultojnë ende të zhdukur.

Pas sulmit, Zelensky përsëriti thirrjen ndaj aleatëve të Ukrainës për më shumë mbrojtje ajrore. /REL

Të ngjashme

Të fundit