Lushtaku, për rastin “Drenica 1”: Pas 13 vitesh procese gjyqësore, u vërtetua pafajësia ime

- Advertisement -

Sami Lushtaku ka reaguar pas shpalljes se aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me të cilin është konfirmuar pafajësia e tij edhe ndaj akuzave për ndikim te dëshmitarët në rastin “Drenica 1”, pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku tha se me këtë vendim përmbyllen disa procese gjyqësore që, sipas tij, kanë zgjatur 13 vjet.

Ai u shpreh se rastet ndaj tij kishin për qëllim dënimin e tij përmes akuzave që, sipas pretendimit të tij, bazoheshin në deklarata dhe dëshmitarë të rremë.

“Sot, sikurse në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata vërtetoi pafajësinë time duke më shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë”, ka shkruar Lushtaku.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli sot aktgjykimin me të cilin u konfirmua pafajësia ime edhe ndaj akuzave për ndikim në dëshmitarë në rastin “Drenica 1”, si pjesë e aktakuzave të ngritura nga Prokuroria e EULEX-it.

Ky rast shënon përmbylljen e disa proceseve të gjata e të rënda për mua, të cilat nisën para 13 vitesh, me një varg procesesh gjyqësore, me qëllim dënimin tim përmes akuzave që në thelb bazoheshin në deklarata e në dëshmitarë të rrejshëm.

Sot, sikurse në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata vërtetoi pafajësinë time duke më shpallur të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave e padrejtësive, ajo do të triumfojë një ditë.

Falënderoj familjen time, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë qytetarët që më kanë qëndruar pranë e nuk e kanë humbur asnjëherë besimin tek unë.

Mbështetja juaj e vazhdueshme ka qenë forca ime gjatë gjithë kësaj përiudhe.

Faleminderit përjetësisht

Të ngjashme

Të fundit